schema:text
| - Pretendimi i rremë dhe fotografia e fabrikuar e presidentes Osmani
Deklarata
Ndihmë për banim në Marigona Hill
Vlerësimi
Rrenë
Është e fabrikuar fotografia e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e publikuar me mbishkrimin “Ndihmë për banim në Marigona Hill”. Kjo fotografi është prodhuar nga Inteligjenca Artificiale. Presidentja Osmani nuk ka kërkuar ndihmë publike për të mbuluar shpenzimet për blerjen e pronave në lagjen “Marigona Hill”. Ajo në deklarimin e pasurisë ka treguar prejardhjen e parave për blerjen e pronës në këtë lagje.
Artikulli
Më 20.09.2024 faqja në Facebook ‘Drenica Graphic’ (arkiva & arkiva & arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën pretendohet se është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fotografi është vendosur mbishkrimi “Ndihmë për banim në Marigona Hill”.
Përmes makinës së kërkimit PimEyes, Krypometër ka gjetur se në këtë fotografi është vendosur fytyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Debati për deklarimin e pasurisë së Osmanit
Që nga marrja e detyrës së presidentes, çështja e pasurisë së saj është debatuar në opinionin publik, me saktë për banimin në varg në lagjen “Marigona Hill” në Prishtinë
Në maj të vitit 2024, pasi u publikuan deklarimet e pasurisë të zyrtarëve publikë, në rrjet kanë qarkulluar pretendime se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dy villa në “Marigona Hill”, dhe që njëra kushton 190 mijë euro kurse ajo më e vogël 510 mijë euro apo 320 mijë euro më shtrenjtë se e para. Këtij postimi ia kanë bashkëngjitur edhe deklarimin e pasurisë që e ka bërë presidentja Vjosa Osmani.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër fillimisht i kishte analizuar deklarimet e pasurisë që i ka bërë Vjosa Osmani në dy vitet e fundit.
Në deklarimin e pasurisë të bërë në fillim të vitit 2022, presidentja Vjosa Osmani kishte deklaruar një shtëpi të blerë në vitin 2019. “Banim në varg (e kontraktuar por nuk është ende në pronësi të deklaruesit) – nuk ka vlerë reale, në ndërtim të vrazhdë”- kishte shkruar në deklarimin e pasurisë së presidentes Osmani të bërë në film të vitit 2022.
Për këtë, Osmani kishte dhënë sqarime në një debat televiziv në vitin 2021, duke treguar se kanë blerë shtëpi të vogël në lagjen “Marigona Hill”.
Kurse, në deklarimin e pasurisë që presidentja ka bërë në fillim të vitit 2024, ajo ka deklaruar dy banime në varg, njërën të blerë në vitin 2019 dhe tjetrën në vitin 2023. Banimi në varg (i papërfunduar) me sipërfaqe prej 244 metra katrorë, e blerë në vitin 2019 dhe vlera e deklaruar është 170 mijë euro.
Deklarimi i dytë është “Banim në varg” me sipërfaqe prej 218 metra katrorë, e cila është blerë në vitin 2023 për 520 mijë euro dhe është në pronësi të bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriut. Kjo shtëpi është thënë se është blerë nga “shitja e shtëpisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”. Por, në këtë pjesë të deklarimit nuk është cekur edhe lokacioni i këtyre pronave të paluajtshme të emërtuara “banimi në varg”.
Në të njëjtin deklarim, pra atë të bërë në fillim të vitit 2023, presidentja ka treguar për detyrimet financiare. Ajo ka deklaruar detyrime prej 40 mijë euro si “këstet e papaguara ndaj “Marigona Hill SHPK” dhe punët shtesë nga kompani të tjera rreth shtëpisë në varg”.
Si dhe i ka deklaruar 60 mijë euro detyrime si “huamarrje për pagesën e banimit në varg në Melbourne”. Pra, vetëm në këtë pjesë presidentja Vjosa Osmani tregon se ajo ka vlerë “banim në varg në Melbourne”, qytet në Australi. Bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu ka studiuar dhe jetuar në Australi.
Për të qartësuar deklarimin e pasurisë së bërë nga presidentja Vjosa Osmani, Krypometër ka dërguar pyetje tek kabineti i presidentes Osmani.
Egnesa Vitia nga kabineti i presidentes tregon se këto “banime në varg” nuk janë të dyja në “Marigona Hill”. Ajo ka thënë se presidentja është pronare e vetëm një shtëpie në lagjen “Marigona Hill” në Prishtinë.
“Presidentja me bashkëshortin posedojnë vetëm një shtëpi në lagjen “Marigona Hil”l (quhet banim/shtëpi në varg sepse shtëpitë janë të ngjitura me ato të banorëve të tjerë, pra në ang. quhen ‘townhouse’). Por vetëm njëra prej tyre i takon familjes së presidentes e të tjerat me të cilat ndajnë muret janë të fqinjëve tjerë. Duhet të theksohet se ky lloj i banimit është shtëpia më e vogël në metra katrorë që ofrohet në ‘Marigona Hill’”- deklaroi Vitia për Krypometrin.
Tutje, Vitia ka shpjeguar se shtëpia e dytë (banimi në varg) e blerë në vitin 2023 është në Australi dhe jo në Kosovë, si kanë raportuar disa faqe.
“Shtëpia tjetër në varg (townhouse) është në Australi dhe është në pronësi të bashkëshortit e familjes së tij. Për t’u blerë kjo shtëpi, janë shitur dy shtëpi të tjera të vjetra në një qytet tjetër të Australisë, të cilat familja e Prindonit i ka blerë në Australi para se të fillojë presidentja të merrej me politikë. Pra, në “Marigona Hill” dhe në pronësi të presidentes është vetëm një shtëpi”- deklaroi Vitia.
Krypometër ka kontaktuar edhe me kompaninë “Marigona Hill”, të cilët kanë thënë se informacioni nuk është i saktë.
“Mund t’ua konfirmoj se as presidentja Vjosa Osmani e as bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, nuk kanë blerë shtëpinë e dytë në “Marigona Hill”, si është raportuar. Në kohën kur ka dalë lajmi, ne në “Marigona Hill” nuk e kemi pasë asnjë shtëpi të lirë, pra për shitje. Është e ditur që presidentja Vjosa Osmani me familje e kanë blerë një shtëpi në “Marigona Hill” shumë kohë më parë, e në të cilën tashmë jetojnë”- thuhet në përgjigjen e “Marigona Hill” për Krypometër.
Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës më 04.04.2021, pasi më parë kishte shërbyer si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe pasi ishte zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës për pesë mandate me radhë.
Në zgjedhjet e shkurtit 2021, ajo u bë politikania më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Para kësaj, Vjosa Osmani ishte gruaja e parë që shërbeu si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi u zgjodh në këtë post më 03.02.2020, si dhe ka shërbyer si ushtruese detyre e presidentes së Republikës së Kosovës nga nëntori i vitit 2020 deri në mars 2021.
Në zgjedhjet e 06.10.2019, Osmani ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së. Në këto zgjedhje ajo fitoi 176 mijë vota, duke dalë e dyta më e votuara në Kosovë, pas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në mandatet e mëparshme si deputete ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, Komisionin e Integrimit Europian dhe ka qenë nënkryetare e Komisionit të Reformës Kushtetuese.
|