schema:text
| - Postimi i rremë për historinë e Resul Sinanit
Deklarata
Largohuni nga prostatiti dhe harroni problemet në jetën tuaj seksuale!
Vlerësimi
Rrenë
Postimi në Facebook me mbishkrimn “Largohuni nga prostatiti dhe harroni problemet në jetën tuaj seksuale!” është i rremë. Në artikull nuk është treguar asnjë rrëfim nga moderatori Resul Sinani, si është thënë në postimin e bërë në Facebook. Resul Sinani ka thënë se postimi është i rremë, pasi asnjëherë nuk ka pasur probleme me prostatë, si është thënë në këtë postim.
Artikulli
Më 26.02.2024 faqja e Facebook-ut Cth (arkiva) ka publikuar një link me përshkrimin “Largohuni nga prostatiti dhe harroni problemet në jetën tuaj seksuale!”. Në ilustrimin e këtij postimi shihet Resul Sinani, moderatori dhe autori i emisionit “Libero” që transmetohet në ATV.
Fotografia në të cilën shihet Sinani, mban mbishkrimin “Një prezantues i njohur televiziv në Kosovë ka treguar historinë e tij se si e shpëtoi shpejt dhe përgjithmonë nga prostatiti! Ruajeni këtë recetë efektive dhe falas”.
Në qoftë se linku i bashkëngjitur (arkiva) klikohet, faqja që hapet nuk ka të bëjë fare me atë se çka është prezantuar në postim.
Krypometër ka kontaktuar me moderatorin Resul Sinani për të sqaruar nëse ai ka treguar thënë diçka si pretendohet nga faqja në fjalë.
Sinani e ka mohuar të ketë treguar ndonjëherë një tregim të tillë, duke shtuar se edhe muaj më parë ka hasur në fotografitë e tij që janë keqpërdorur për të njëjtin produkt.
“Edhe para disa muajsh në mënyrë të njëjtë më janë keqpërdorur fotografitë e mia për të njëjtin produkt. Unë nuk kam të bëjë fare me këtë. As nuk e kam përdorur ndonjë herë, e as nuk e di se për çfarë bëhet fjalë!”- ka deklaruar Sinani për Krypometër.
Resul Sinani nga viti 1999 punon në media, në pozicione të ndryshme si gazetar, moderator, redaktor dhe autor emisionesh. Ka punuar në Radio Prizreni, TV Kukësi, Radio 21, KTV dhe RTK1, si dhe ka bashkëpunuar me gazeta e portale të ndryshme.
Prej vitit 2009 është i angazhuar si ligjërues universitar. Fillimisht ka qenë i angazhuar si ligjërues i jashtëm në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, pastaj për tri vjet ka qenë i angazhuar në Kolegjin UBT në fakultetin e Mediave dhe Komunikimit.
Ndërsa prej tetorit të vitit 2016 është i angazhuar si profesor në Kolegjin AAB në fakultetin e Komunikimit Masiv, Fakultetin e Psikologjisë dhe Fakultetin e Shkencave Sociale.
|