schema:text
| - Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com
Rrena e Hazirit për rrugën e Livoçit
Deklarata
Lutfi Haziri: Nëse bëhet rishikimi i buxhetit fillojnë punimet në këtë muaj, nëse nuk rishikohet buxheti atëherë në Pranverë. Rruga për të cilën po flasim, nuk merr më shumë se 1 muaj kohë
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Rruga nuk është asfaltuar ende. Nuk kanë nisur as punimet në këtë rrugë duke përfshirë kanalizimin edhe ujësjellësin. Madje nuk ka as tender të iniciuar për rregullimin e kësaj rruge. Në buxhetin e vitit 2018, Komuna e Gjilanit ka paraparë mjete për asfaltim, por nuk i ka specifikuar projektet konkrete që e bënë të pamundur me konstatu nëse kjo rrugë do të rregullohet këtë vit.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri nuk e ka mbajtur fjalën e tij kur gjatë kohës së zgjedhjeve në DebatPernime në Jeta në Kosovë kishte deklaruar se me rishikim të buxhetit, qytetarët e Livoçit të Poshtëm dhe Cernicës do ta kenë më të shkurtë dhe më të mirë rrugën për në qytetin e Gjilanit.
Këto komente, Haziri i ka dhënë në debatin Jeta në Kosovë për komunën e Gjilanit që është mbajtur më 11 tetor të vitit të kaluar.
Ai kishte deklaruar se nëse rishikimi i buxhetit nga ana e Qeverisë bëhet atë muaj, atëherë punimet do të fillojnë menjëherë dhe nuk do të zgjasin më shumë se 1 muaj.
“Muhaxherët e Livoqit, ajo që ne i themi Blinaja në drejtim të Cernicës është në projekt dhe mundet të filloj edhe gjatë këtij viti në momentin e rishikimit të buxhetit nga ana e Qeverisë. Nuk është rrugë që kushton shumë, aty ka nevojë që kanalizmin edhe ujësjellësin me ia rregullu paralelisht. Nëse rishikimi I buxhetit fillon tash, fillojnë punimet në këtë muaj, nëse nuk rishikohet buxheti, atëherë në Pranverë, rruga për të cilën po flasim, nuk merr më shumë se 1 muaj kohë”, kishte thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në atë kohë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës po atë muaj, më 31 tetor 2017 e kishte miratuar ndryshimin e buxhetit, mirëpo qytetarët e asaj ane ende nuk e kanë rrugën e asfaltuar. Ajo vazhdon të jetë siç ka qenë para zgjedhjeve.
http://kallxo.com/kuvendi-miraton-rishikimin-e-buxhetit/
Gjithashtu jemi në stinën e Pranverës që afër 2 muaj dhe punimet gjithashtu nuk kanë filluar, ani pse Haziri deklaronte se nëse jo në 2017, në Pranverë të këtij viti do të asfaltohet kjo rrugë.
Ndërkohë, në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, Komuna e Gjilanit ka paraparë 722 mijë euro t’i shpenzojë në ndërtimin e rrugëve në këtë komunë. Linja buxhetore është e përgjithshme dhe nuk dihet nëse është në plan për këtë vit sanimi i kësaj rruge.
Ndërkohë, në ueb-faqen e Prokurimit Elektronik është publikuar një tender për ndërtimin dhe sanimin e rrugëve në Gjilan. Projekti është paraparë të kushtojë 1.2 milionë euro. Por, në listën e rrugëve nuk figuron kjo rrugë.
Në ueb-faqen e KRPP-së nuk ka tender të iniciuar që nga koha e mbajtjes së debatit për asfaltimin e kësaj rruge.
|