schema:text
| - Titulli i rremë për njohje reciproke Kosovë – Serbi
Deklarata
Vjen Lajmi MADHESHTOR, Finalja Kosovë – Serbi Pritet Të Përfundojë Me Njohje Reciproke Dhe Pa Shkëmbim Të Territoreve
Vlerësimi
Rrenë
Titulli “Vjen Lajmi MADHESHTOR, Finalja Kosovë – Serbi Pritet Të Përfundojë Me Njohje Reciproke Dhe Pa Shkëmbim Të Territoreve” është i rremë. Nuk ka asnjë lajm që tregon se bisedimet Kosovë- Serbi do të përfundojnë me njohje reciproke dhe pa prekje të kufijëve. Titulli nuk përputhet me përmbajtjen e artikullit, në të cilin nuk flitet fare për një marrëveshje finale në mes të dy vendeve.
Artikulli
Më 24 tetor 2022, në faqen e internetit “news426media.com” është shpërndarë një informacion me titullin “Vjen Lajmi MADHESHTOR, Finalja Kosovë – Serbi Pritet Të Përfundojë Me Njohje Reciproke Dhe Pa Shkëmbim Të Territoreve”.
Në ballinë është fotografia e kryeministrit Albin Kurti dhe harta e trojeve shqiptare.
Ky informacion është shpërndarë me datën 24 tetor 2022 edhe në disa faqe të Facebook-ut; Koha e Re, Informohu Shqip, Mergata Shqiptare, Thenie te dijetareve, Alb Info, Rrjedhat Ballkanike dhe Boterore.
Përkundër faktit që në titull pretendohet se është zbuluar përmbajtja e marrëveshjes finale, në artikull nuk është dhënë asnjë argument dhe fakt që e mbështet titullin.
Artikulli flet për takimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin më 21 shtator 2021.
Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
“Presidentja Osmani edhe në këtë takim e ka potencuar se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces” – thuhet në komunikatën e Presidencës të lëshuar me 21 shtator 2021.
Në dialogun Kosovë – Serbi ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, është shpalosur në vitin 2018 nga vetë presidentët e atëhershëm të këtyre dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Thaçi insistonte se në bisedimet me Serbinë do të kërkojë që të përfshijë edhe Luginën e Preshevës, përkatësisht bashkimin e asaj pjese me Kosovën.
Megjithatë, kjo ide ka hasur në reagime “për” dhe “kundër”, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq më datën 14 shtator 2022 tha se rishkrimin e kufijve me Kosovën dikur e ka parë si zgjedhje, por shtoi se këtë nuk e mendon më, pasi “rrethanat tani kanë ndryshuar”.
Vuçiq i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.
|