schema:text
| - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
IKShP “e humbur në përkthim”
Deklarata
Deklarata e IKShPK: “Kosova në krye të listës së vendeve evropiane si më e suksesshme në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19”
Vlerësimi
Rrenë
IKShPK e ka keq-cituar artikullin e Euronews për studimin e Universitetit të Oxfordit. Artikulli në fjalë asnjëherë nuk flet për Kosovën si vendin më të suksesshëm në zbatimin e masave. Hulumtimi po ashtu nuk flet për zbatueshmërinë e masave, por flet vetëm për ndërmarrjen e masave nga qeveritë nëpër botë.
Artikulli
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka shtrembëruar faktet duke e keqcituar një artikull lidhur me hulumtimin e Universitetit të Oxfordit lidhur me menaxhimin e pandemisë nëpër vende të ndryshme të botës.
Qëllimisht ose jo, IKPShK rrejshëm ka konstatuar se hulumtimi në fjalë e liston Kosovën ndër vendet me menaxhimin më të mirë të situatës me pandeminë e COVID-19.
Mbrëmë rreth mesnatës, Instituti ka publikuar një artikull të Euronews lidhur me hulumtimin e Universitetit të Oxfordit, ku ndër tjerash flet edhe për situatën me pandeminë në Kosovë, duke e keq-përkthyer dhe duke mos i transmetuar informacionet e sakta.
IKShPK shkruante mbrëmë se Universiteti i Oxfordit e ka shpallur Kosovën si vendin më të suksesshëm në zbatimin e masave kundër COVID-19.
“Kosova në krye të listës së vendeve evropiane si më e suksesshme në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19”, ishte fillimi i komunikatës së mbrëmshme të IKShPK-së.
Mirëpo, askund në artikullin e cituar nuk flitet për zbatimin e masave. Në fakt aty flitet vetëm për ndërmarrjen e masave nga ana e institucioneve shëndetësore.
“Kosova duket të jetë vendi më i rreptë në Evropë për sa i përket masave të qeverisë ndaj pandemisë ndërsa Bjellorusia dhe Gjeorgjia janë më të butat ndaj masave”, thuhet në artikullin, të cilit i referohet IKShPK.
Pas reagimeve të shumë qytetarëve, IKShPK ka ndërhyrë në tekstin e shkruar, duke e edituar atë dhe rregulluar.
Derisa në fillim e kishte shkruar se ‘Kosova qëndron në krye të listës së vendeve më të suksesshme në zbatimin e masave”, këtë e kishte ndërruar pak më vonë, duke thënë se Kosova në krye të vendeve evropiane për zbatimin e masave.
“Kosova në krye të listës së vendeve evropiane në zbatimin e masave strikte për parandalimin e COVID-19”
Ndonëse e ka edituar, prapë IKShPK nuk e ka thënë të vërtetën e plotë.
Artikulli, të cilin Instituti e citon, nuk flet për zbatimin e masave por vetëm për ndërmarrjen e masave.
Anna Petherick, njëra ndër autoret e hulumtimit nga Universiteti i Oxfordit është cituar të ketë thënë se hulumtimi i tyre nuk ka matur efektivitetin e masave të ndërmarra.
Deri më tani në Kosovë janë infektuar 13 mijë e 454 persona, janë shëruar 9 mijë e 595 ndërsa kanë vdekur 525 persona nga COVID-19.
Sipas Bloomberg, muajin e kaluar Kosova ishte vendi me më së shumti vdekje në 1 milion banorë në botë.
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.
|