schema:text
| - Fotoja e gjeneruar me AI e fëmijëve të shtrirë në një tendë në Gaza
Deklarata
Natën e mirë nga këta dy fëmijë në Gaza!
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia me mbishkrimin “Natën e mirë nga këta dy fëmijë në Gaza!” është e realizuar me Inteligjencë Artificiale. Gazetari palestinez Mohamed Al-Masri e ka pranuar se fotografinë e ka bërë me ndihmën e Inteligjencës Artificiale AI.
Artikulli
Më 27 janar 2024 faqja e Facebook-ut “Drenica Sot” (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën pretendohet se janë dy fëmijë nën një tendë në Gaza të Palestinës.
Në fotografi është vendosur përshkrimi “Natën e mirë nga këta dy fëmijë në Gaza!”.
Përmes përdorimit të instrumentit të kërkimit të fotografive, Google Lens, Krypometër ka gjetur se kjo fotografi është publikuar më 27 janar 2024 në llogarinë pope.art në Instagram, të cilët kanë treguar se fotografia mund të jetë e gjeneruar me AI.
Në të njëjtin postim, Pope.art ka shkruar se “fotografia është realizuar nga gazetari palestinez Mohamed Al-Masri. Krypometër e ka gjetur fotografinë e ngjashme, të dy fëmijëve duke fjetur të një tendë në Gaza, të publikuar nga gazetari palestinez Mohamed Al-Masri.
“Në Gaza, në çadrat e të shpërngulurve, fëmijë, gra dhe pleq vdesin një mijë herë në sekondë! Pa ujë, pa ushqim, pa mbulesë, pa rroba, pa çadra, shtrihen në tokë!”- ka shkruar gazetari.
Krypometër përmes kërkimeve me Google Lens ka gjetur se e njëjta fotografi është publikuar me dhjetëra herë që nga data 26 janar 2024. Në shumë prej publikimeve është cekur që fotografia është gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale.
E njëjta fotografi është vlerësuar si e ndryshuar nga verifikuesi i fakteve “mythdetector.ge” me qendër në Gjeorgji si dhe nga verifikuesi i fakteve “Rumorscanner”. Të dy verifikuesit e fakteve kanë marrë për bazë gabimet që janë bërë në këtë fotografi, siç janë gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve të fëmijëve.
Verifikuesi i fakteve “Rumorscanner” ka thënë se gazetari nga Palestina fillimisht i kishte publikuar tri fotografi duke mos e specifikuar nëse fotografia është gjeneruar nga AI. Pak kohë më vonë, i njëjti e kishte fshirë këtë fotografi.
Kjo fotografi është verifikuar edhe nga Verifikuesi i Fakteve me bazë në Palestinë, Kashif.ps.
Kashif.ps thotë se kanë biseduar me fotoreporterin Muhammad al-Masri, i cili e ka pranuar se fotografia është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (AI), si kombinim i fotografisë së realizuar nga ai në të cilën shihen dy fëmijë në gjumë.
Në luftën Izrael-Hamas janë vrarë mbi 26.000 palestinezë sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë, janë shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe janë zhvendosur pothuajse 85 për qind e popullsisë së këtij territori.
Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit janë vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe janë rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Mbi 100 pengje, shumica gra dhe fëmijë, u liruan nëntorin e vitit të kaluar në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve që ishin të burgosur nga Izraeli.
Pavarësisht përparimit në bisedime, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 28 janar 2024, gjatë një konference për media, përsëriti qëndrimin se lufta do të vazhdojë deri në “fitoren absolute”, përfshirë shtypjen e Hamasit.
|