schema:text
| - Huqja e portalit për pronësinë e veturës zyrtare
Deklarata
Vetura e Ministrisë së Shëndetësisë e parkuar në zebra
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Përshkrimi i fotografisë “Vetura e Ministrisë së Shëndetësisë e parkuar në zebra” i publikuar në faqen në Facebook “Sinjali” është i rremë. Bazuar në “Udhëzimi Administrativ për Regjistrimin e Mjeteve” të ministrisë së Punëve të Brendshme, veturat e ministrive kanë shënjën dalluese 3Z, ndërsa ministria e Shendëtësisë dy numrat e fundit të targë i kanë 12. Ministria e Shendetësisë poashtu ka thënë se vetura në fjalë nuk është e Ministrisë së Shëndetësisë.
Artikulli
Më 24.05.2024, faqja në Facebook “Sinjali” ka publikuar fotografi me mbishkrimin “Vetura e Ministrisë së Shëndetësisë e parkuar në zebra” (arkiva).
Në fotografi shihet një automjet me targat RKS-01Z-58-09 i parkuar në vendkalim të këmbësorëve.
Në Kosovë caktimin e rregullave për targat e veturave e bënë Ministria e Punëve të Brendshme. Krypometër ka gjetur se në “Udhëzimi Administrativ për Regjistrimin e Mjeteve” janë përcaktuar shenjat identifikuese të targave të secilit institucion.
“Targat horizontale për institucionet e pushtetit lokal sipas rajoneve në Republikën e Kosovës, në pjesën e parë vertikale të targës, vendoset kodi i Republikës së Kosovës RKS, me ngjyrë të kaltër, në vazhdim shkronjat për kodin me ngjyrë ari. Numri identifikues i rajonit, sipas paragrafit 1. të nenit 33 të këtij udhëzimi administrativ, shkronja Z, stema shtetërore, numri dyshifror, viza horizontale dhe numri i komunës përkatëse sipas Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave”- thuhet në pikën 3 të nenin 38 të Udhëzimit Administrativ për Regjistrimin e Mjeteve.
Ndërsa në nenin 5 i Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave e ka përcaktuar se Komuna e Fushë Kosovës e ka numrin 09, që përkon me targën e automjetit në fjalë.
Në të njëjtin udhëzim është përcaktuar se veturat zyrtare të Qeverisë do të kenë numrin e parë 3Z (Z- zyrtare).
“Për Qeverinë e Kosovës, në pjesën e parë vertikale të targës, vendoset kodi i Republikës së Kosovës RKS, shenja identifikuese zyrtare 3Z, stema shtetërore, numri treshifror, viza horizontale dhe dy numrat kombinues si në vijim: për Ministrinë e Shëndetësisë numri 12”- thuhet në nenin 37, pika 1.3 të këtij udhëzimi.
Pra, bazuar në këtë udhëzim, vetura në fjalë nuk i takon Ministrisë së Shëndetësisë. Krypometër ka analizuar edhe stemën që vetura e ka të vendosur në dritare dhe që përkonë me atë të Komunës së Fushë Kosovës.
Krypometër ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, por ata e kanë mohuar se vetura në fjalë me këto targa është në pronësi apo shfrytëzim të tyre.
“Ju njoftojmë se automjeti në fjalë nuk i përket Ministrisë se Shëndetësisë”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Krypometër ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Fushë Kosovës, meqë stema e kësaj Komune është në veturë dhe targat e veturës, në bazë të Udhëzimit Administrativ, i takojnë kësaj komune.
“Vetura është e QKMF- Shtëpisë së Shëndetit në Fushë Kosovë. Është donacion nga Ministria e Shëndëtisë, që e kemi marrë para disa muajve. Pra, sigurisht ka qenë duke u vozitur nga stafi i Shtëpisë së Shëndetit”- ka thënë Amir Bullatovci, drejtor në administratën në Komunën e Fushë Kosovës.
|