schema:text
| - Deklarata e rremë që i mvishet një gjenerali amerikan për Albin Kurtin
Deklarata
Gjenerali Amerikan Eric Friedman… Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bëjnë ballë ndikimit Rus në Ballkan
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë pretendimi se “Gjenerali Amerikan Eric Friedman” ka thënë se “Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bëjnë ballë ndikimit Rus në Ballkan”. Krypometër ka gjetur se nuk ka të dhënë për ndonjë Gjeneral me emrin Eric Friedman. Fotografia e personit që është prezantuar si Eric Friedman në fakt është e John Abizaid, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite. Ky postim është bërë tre muaj para Zgjedhjeve Parlamentare, që pritet të mbahen në Kosovë më 2.9.2025.
Artikulli
Më 18.11.2024, një llogari në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi duke pretenduar se një Gjeneral Amerikan ka folur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Në përshkrim thuhet “Gjenerali Amerikan Eric Friedman: Kosovës i duhen njerëz si Albini që i bejnë ballë ndikimit Rus në Ballkan”.
Pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se ky pretendim ishte publikuar më 08.02.2021, në një grup në ‘Facebook’, “Vetëvendosje me ❤️ (arkiva)”.
Më pas, përmes instrumentit të kërkimit të fotografive në internet “Google Lens (arkiva)”, Krypometër ka gjetur se Gjenerali Amerikan, për të cilin pretendohet se quhet Eric Friedman, është dikush tjetër.
Në fakt, në fotografi është John Abizaid, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite.
Për më tepër, Krypometër nuk ka gjetur se ka një Gjeneral Amerikan, me emrin Eric Friedman. Pas kërkimit në internet, rezulton se me këtë emër figuron një muzikant amerikan, Eric Charles “Erock” Friedman.
Në anën tjetër, Gjenerali Abizaid ka shërbyer si komandant i Komandës Qendrore të SHBA, nga Korriku 2003 deri në Mars 2007.
Sipas një biografie të publikuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, Abizaid ka komanduar Divizionin e Parë të Këmbësorisë, ‘Big Red One’, në Wurzburg, i cili dërgoi forcat amerikane të para tokësore në Kosovë.
Ky postim është bërë vetëm tre muaj para Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, të cilat pritet të mbahen më 09.02.2025.
Që nga viti 2021, kur Kurti ishte zgjedhur Kryeministër për herë të dytë, marrëdhëniet e Qeverisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë diskursi kryesor i Opozitës në kritikat e tyre ndaj Qeverisë.
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte shprehur se Kurti “po rrezikon raportet e Kosovës me SHBA-të”. Krasniqi kishte kërkuar nga Kurti të rishqyrtojë menjëherë qasjen, për të parandaluar dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, veçanërisht me SHBA-të.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vazhdimisht ka kërkuar nga Kurti që veprimet t’i bëjë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Abdixhiku kishte kritikuar ashpër kryeministrin Kurti, duke konsideruar se moskoordinimi me aleatët, në veçanti me SHBA-të, “është akt antishtetar”.
Kurse, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pati kërkuar nga Kryeministri që të ndryshojë qëndrim ndaj kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të kundërtën, sipas Haradinajt, Kurti “rrëshqet në tradhëti”.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në vazhdimësi insiston se raportet me amerikanët “janë shumë të mira”. Ai thekson se SHBA është “një aleat i pazëvendësueshëm, i paçmueshëm, një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen, e sidomos tani, në këtë vit të rëndësishëm dhe një mik i dëshmuar”.
|