schema:text
| - Fotografia e fabrikuar e Thaçit me Radoiçiqin
Deklarata
Po të ishin kandidat për kryeminstër, cilin nga kta do ti kishi votu? Kta kan hëngër në një grrazh!. Hashim polari me kriminelin Rodiçiq
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia në të cilën pretendohet se është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq është e manipuluar. I rremë është edhe mbishkrimi i publikuar më këtë fotografi: “Po të ishin kandidat për kryeminstër, cilin nga kta do ti kishi votu? Kta kan hëngër në një grrazh!. Hashim polari me kriminelin Rodiçiq”. Thaçi nuk është fotografuar me ish-nënkryetarin e Partisë Lista Serbe, Millan Radoiçiq. Në fotografinë reale, Thaçi është me ish- zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli.
Artikulli
Më 09.10.2024 faqja në Facebook ‘Simpatizantet Vetvendosjes’ (arkiva & arkiva & arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën pretendohet se është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Fotografia mban mbishkrimin: “Po të ishin kandidat për kryeminstër, cilin nga kta do ti kishi votu? Kta kan hëngër në një grrazh!. Hashim polari me kriminelin Rodiçiq”.
Krypometër ka analizuar fotografinë dhe përmes makinës së kërkimit të fotografive Tineye, është gjetur fotografia origjinale në të cilën është kryetari i partisë politike Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe ish-presidenti Thaçi.
Fotografia ishte publikuar në gusht të vitit 2018, në llogarinë zyrtare të Pacollit, kur Thaçi ishte President i Republikës së Kosovës.
“Drekë e këndshme në Shëngjin me Presidentin e RK Hashim Thaçin”- thuhet në postimin e Behgjet Pacollit, të publikuar më 12.08.2018.
Krypometër gjithashtu ka kontaktuar me Artan Behramin, ish-këshilltarin politik të ish- Presidentit Thaçi, për të shpjeguar vërtetësinë e fotografisë.
Behrami ka theksuar se fotografia është e manipuluar për qëllime të dezinforimit.
“Kjo foto është deep fake, është e manipuluar për qëllime të dezinformimit. Z. Thaçi kurrë nuk e ka takuar Radoiçiqin as në kapacitet zyrtar as privat. Po ashtu nënteksti në këtë foto është i manipuluar!”- ka deklaruar Behrami.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014.
Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çonte deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.
Më 3 prill 2023 ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Themelimi i këtij institucioni u bë nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.
Ndërkaq, Radoiçiq është përshkruar si “bossi i veriut” dhe ndaj Radoiçiqit dhe 45 personave të tjerë është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nën dyshimin se mbi ta rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpërlarje të parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte mohuar takimin në zyrën e tij me Millan Radoiçiq.
Fotografia e Pacollit me Radoiçiqin në jahtë
Por, Radoiçiq, gjatë kohës sa ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe ishte takuar me disa prej liderëve të Kosovës. Ai ishte pritur në zyrën e Kryeministrit të Kosovës nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa e kishte takuar edhe kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Pacolli në një intervistë për “Kallxo Pernime” në vitin 2021, kishte thënë se takimi me Radoiçiqin ishte i rastësishëm.
“Unë e kam njohur kryetarin e Mitrovicës që sot ai është nënkryetar i Listës Serbe, Rakiqin, ai ka qenë aty dhe disa zyrtarë të Listës Serbe. Ne e kemi kryer dhe kemi dalë, Rakiqi zbret prej aty dhe vjen te unë: A Behgjet sa mirë që po të shoh dhe i kam thënë kadal ta bëj një surprizë dhe e kam thirrë Agim Bahtirin sepse ata janë shokë e takohen. Agim Bahtiri ka qenë fort i nervozuar sepse ka mendu që jemi dakorduar me u taku atje dhe s’i kemi thënë atij asgjë dhe i kam thënë rastësisht është kjo”- pati deklaruar Pacolli për ngjarjen.
Tutje ai pati treguar se ka shkuar në jahtin ku gjendeshin disa deputetë të Listës Serbe të Kuvendit të Kosovës dhe ka hyrë për të pirë një pije ndërsa mohon se e kishte njohur Millan Radoiçiqin.
“Dhe ai (Goran Rakiq) mua më tha eja te na ulu dhe pije një pije dhe normalisht pa asnjë paragjykim hy aty, të betohem dhe ta jap fjalën e nderit se kam qenë e kam pirë një pije s’e kam ditë i kujt është jahti. Sa kam qenë aty ka ardhur një njeri dhe u ul, askush nuk e ka prezantu si e ka emrin ai Radoiçiqi, e më pas jam përshëndet jam dalë i kam marrë fëmijët e mi dhe kemi dalë në qytet. Unë kam njoftë veç 3 deputetë. Unë s’i pyes e kujt është jahta sepse është shumë private, privati i një jahti nuk pyet se i kujt është jahti tjetër. Jahti ka qenë më e vogël se jahti im dhe s’e kam pyet fare. Ne kemi shkuar të nesërmen, jemi larguar nga aty, por mund ta pyetni Rakiqin s’e kam ditë kush ka qenë aty kam qëndru 10 minuta. Nuk e di as sot se cili ka qenë Millan Radoiçiq”- tregoi tutje Pacolli në intervistë.
|