schema:text
| - Pretendimi i rremë se një kremë shëron venat e zgjëruara për tre ditë
Deklarata
Nuk do të ketë më varice. Venat e zgjeruara do të zhduket në 3 ditë. Aplikoni dy herë në ditë
Vlerësimi
Me kos
Në postimin “Nuk do të ketë më varice. Venat e zgjeruara do të zhduket në 3 ditë. Aplikoni dy herë në ditë” janë dhënë përfundime që nuk kanë bazë shkencore. Specialisti i kirugjisë vaskulare Hajriz Rudari ka thënë se venat e zgjeruara nuk mund të shërohen me asnjë lloj kreme, por ato shërohen nga metodat me xhiper (scleroterapi), intervenim klasik- operim, me laser, me radiofrekuencë, me ngjitës e deri te metodat bashkëkohore më të reja siç është ajo me aparat (sonovein) me rreze ose valë pa prerje e pa anestezion.
Artikulli
Më 19.06.2024, faqja në Facebook ‘Мedicalll UP’ (arkiva), ka publikuar një postim me mbishkrimin “Nuk do të ketë më varice. Venat e zgjeruara do të zhduket në 3 ditë. Aplikoni dy herë në ditë”.
Artikulli reklamon një produkt për vena varikoze, për të cilin pretendohet se i shëron venat e zgjeruara brenda 3 ditëve.
Nëse klikon mbi këtë artikull të dërgon në faqen e internetit ‘xk.beryp.com’ (arkiva) në të cilën është vetëm produkti i rekomanduar për këto vena, ‘Varcosin’.
Krypometër ka kontrolluar në listën e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës, por produkti ‘Varcosin’ nuk bën pjesë në listën e produkteve që lejohen për shitje në tregun e Kosovës, pra nuk kanë Autorizim Marketingu.
Krypometri ka kërkuar edhe një përgjigje nga doktorë të fushës së kirurgjisë vaskulare, drejtori i kësaj klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hajriz Rudari ka thënë se venat e zgjeruara nuk mund të shërohen me asnjë lloj kreme.
Ai ka thënë se një postim i tillë mund t’i jepë shpresa të rreme pacientëve. Rudari ka sqaruar metodat e shërimit të venave të zgjeruara.
“Venat shërohen nga metodat me xhiper (scleroterapi), intervenim klasik- operim, me laser, me radiofrekuencë, me ngjitës e deri te metodat bashkëkohore më të reja siç është ajo me aparat (sonovein) me rreze ose valë pa prerje e pa anestezion”- thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Dr. Hajriz Rudari.
Krypometri ka pyetur edhe specialistin e farmacisë klinike, Astrit Haxhijaha, rreth kësaj kreme.
“Këtë produktin mundohen ta shesin online, mirëpo sa i përket efikasitetit mund të them … asnjëherë s’mund t’i shërojë venat e zgjeruara. Për trajtimin e venave të zgjeruara varikoze, pacienti duhet t’i drejtohet kirurgut vaskular pasi ai është kompetent për trajtimin e këtij problemi. Pas rekomandimeve të terapisë nga kirurgu vaskular, atëherë pacienti duhet të shkojë në barnatore dhe farmacisti do t’i japë sqarimet e nevojshme për çdo produkt të terapisë dhe pacienti s’duhet asnjëherë të blejë online sa i përket produkteve medicinale”- ka thënë Haxhijaha për Krypometër.
|