schema:text
| - Fotografi e manipuluar për vizitën e ish-Presidentit Thaçi në liqenin e Ujmanit
Deklarata
Shiqone skafin e Hashimit me shkronja cirilic
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia në të cilën shihet ish-Presidenti Hashim Thaçi në një barkë në liqenin e Ujmanit me përshkrimin “Shiqone skafin e Hashimit me shkronja cirilic” është e manipuluar. Në fotografinë origjinale, barka nuk ka të shkruar asgjë. Krypometër e ka verifikuar se barka ishte në pronësi të Policisë së Kosovës.
Artikulli
Më 16 janar 2024, në Facebook është shpërndarë (arkive) një fotografi e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në një varkë në liqenin e Ujmanit me përshkrimin: “Shiqone skafin e Hashimit me shkronja cirilic”.
Në fotografinë e publikuar shihet varka dhe një shkrim në alfabetin çirilik “patrolna Gazivode” (patrolla Ujman).
Krypometri ka gjetur se pamjet janë nga koha kur ish-Presidenti Hashim Thaçi kishte lundruar në liqenin e Ujmanit në vitin 2018 së bashku me Rashit Qalajn dhe Bedri Hamzën. Aty nuk shihen shkrime në çirilik.
Varka në të cilën lundroi eskorta e ish presidentit ishte e Policisë Kufitare. E njëjta kishte drita rotative dhe ngjyra dalluese të cilat i përdorë Policia.
Për të konfirmuar tutje këtë informacion, Krypometri kishte kontaktuar me ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn, i cili ishte pjesë e delegacionit të Presidentit të Kosovës që po bënte vizitë me atë rast tek liqeni i Ujmanit në vitin 2018.
Qalaj ka thënë se barka ka qenë në pronësi të Policisë së Kosovës.
“Është e Policisë, shiko edhe dritat sipër kokës së Bedri Hamzës, janë sinjalizimi i Policisë, dritat me alarm”- ka thënë Qalaj për Krypometrin me datë 05/10/2023.
Edhe ish-ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se barkat që janë përdorur për këtë lundrim kanë qenë të Policisë së Kosovës.
“Barkat janë të Policisë së Kosovës, janë sjellë prej Policisë së Kosovës”- ka thënë Hamza në deklaratë për Krypometër me datë 05/10/2023.
Ish- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe ish-drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj e kishin vizituar pikën kufitare në Bërnjak.
“Unë sapo vizitova pikën kufitare të Kosovës në Bërnjak ku takova policë e doganierë të Republikës së Kosovës që kryejnë punën në mënyrë të mrekullueshme. Pas kësaj e vizitova edhe liqenin e Ujmanit, tek ky aset i fuqishëm i Republikës së Kosovës në sektorin energjetik dhe të bujqësisë dhe një vend i mrekullisë natyrore që ka ditur veç zoti ta falë dhe natyrisht dora e qytetarit të Kosovës. Nga Mitrovicë vij edhe më i relaksuar nga rezet e diellit të kësaj vjeshte. Nuk mund të refuzoja edhe ftesën e qytetarëve të Bërnjakut që më qarosën për kafe”- kishte shkruar në profilin e tij në Facebook, ish-Presidenti Hashim Thaçi me rastin e kësaj vizite.
Vizita ishte bërë në ditën kur opozita e asaj kohe e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje po protestonte në Prishtinë kundër idesë së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë.
Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes në atë kohë deklaronte se Thaçi nuk ka mandat për të negociuar ndryshimin e kufinjëve.
“Protesta e popullit të Kosovës kundër aventurave, akrobacioneve e lojërave të rrezikshme të këtij presidenti dëshmon se populli e do Republikën dhe është i gatshëm ta mbrojë nga vet ky president. Thaçi është president me një këmbë, tepër i brishtë dhe i brengosur për karrigen e tij”- deklaronte Kurti para protestueseve më 29/09/2018..
|