schema:text
| - Ilustrim
Përdorimi i imazhit të RTSH-së për shitje të suplementeve
Deklarata
“Më 20.03.2024 u mor një vendim i detyrueshëm për të luftuar kundër diabetit. Sipas urdhrit nr. 75R7218 me datën 01.07.2023, çdo qytetar I Kosovës Dhe Shqipërisë me diabet ka të drejtën për kompensim në formën e 50% zbritje të çmimit të ilaçit”
Vlerësimi
Rrenë
Konstatimet se “20.03.2024 u mor një vendim i detyrueshëm për të luftuar kundër diabetit. Sipas urdhrit nr. 75R7218 me datën 01.07.2023, çdo qytetar i Kosovës Dhe Shqipërisë me diabet ka të drejtën për kompensim në formën e 50% zbritje të çmimit të ilaçit” janë të rreme. Të njëjtat konstatime janë bërë në një artikull që rrejshëm prezantohet si faqe zyrtare e Radio Televizionit Shqiptar (TVSH). Në këtë artikull janë përdorë edhe emra fiktivë të mjekëve.
Artikulli
Më 23.03.2024, faqja e internetit ‘offer-wall.pro’, (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “20.03.2024 u mor një vendim i detyrueshëm për të luftuar kundër diabetit. Sipas urdhrit nr. 75R7218 me datën 01.07.2023, çdo qytetar I Kosovës Dhe Shqipërisë me diabet ka të drejtën për kompensim në formën e 50% zbritje të çmimit të ilaçit”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen në Facebook ‘Rosaline Campbell’(arkiva).
Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për të parë nëse më 20.03.2024 është marrë ndonjë vendim i detyrueshëm për të luftuar kundër diabetit, siç pretendohet në artikull.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë vendim në lidhje me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e MSh-së
Në fillim të artikullit thuhet se “iniciuesi i këtij vendimi është endokrinologjia kryesore e Gallus – Aleksandr Markovic”.
Krypometër ka kontrolluar edhe tek Lista e Odës së Mjekëve të Kosovës, nëse Markovic është i licensuar, por nga kërkimet del që nuk ka asnjë mjek të quajtur Aleksandr Markovic, pjesë e kësaj liste.
Krypometër, përmes Google Lens ka kontrolluar nëse fotografia e mjekut që është prezantuar Aleksandr Markovic është reale. Krypometër ka gjetur se është përdorë fotografia e fizikantit Hugo H. Davila dhe e njëjta rrejshëm është prezantuar si foto e Aleksandr Markovic.
Ky artikull është i shpërndarë në një ueb faqe e cila e ka logon e RTSH-së (Radio Televizionit të Shqipërisë), por Krypometër ka verifikuar në faqen https://rtsh.al/ nuk është publikuar një artikull i tillë.
Për më tepër, faqja e internetit që imiton portalin e Radio Televizionit Shqiptar nuk është as portal, pasi që kur klikohet cilado nga rubrikat të dërgon tek një lojë shpërblyese që mundëson blerjen e një produkti me emrin ‘DIASTOP +’.
Kreshnik Mersinllari, përfaqësues i RTSh-së në një përgjigje për Krypometër ka thënë se “ky nuk është lajm i televizionit”.
Përpos dizajnit të faqes së publikuar i cili del të jetë i manipuluar, Krypometri ka verifikuar edhe pretendimet e tjera në artikull.
“Produkti si më poshtë “Diastop+” nuk figuron në listën e produkteve që kanë Autorizim marketingu dhe që publikohet në ueb-faqen e AKPPM-së për çdo javë e azhuruar dhe mund të kenë qasje të gjithë dhe të verifikojnë vet produktet”- thuhet në përgjigjen e AKPPM-së të datës 14.09.2023.
Tutje, Kryepometër ka kontaktuar me telefon edhe me drejtoreshën e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini Sadiku, për të pyetur nëse e njeh këtë produkt.
“Jo nuk e përshkruajmë këtë produkt, mund të jetë suplement por jo medikament. Ka suplemente që ne i rekomandojmë por për këtë nuk kemi dëgjuar”- thuhet në përgjigjen e drejtoreshës së datës 19.09.2023.
|