schema:text
| - Pretendimi i rremë se një kremë mund të shërojë venat e zgjeruara brenda 3 ditëve
Deklarata
Mjekët u tronditën! Kushdo që ka venat me variçe duhet ta dijë sepse ato zhduken pas 3 ditës… Pas përdorimit të kësaj metode, variçet nuk do t’ju shqetësojnë më
Vlerësimi
Me kos
Konstatimet e bëra në postimin e infografikës: “Mjekët u tronditën! Kushdo që ka venat me variçe duhet ta dijë sepse ato zhduken pas 3 ditës… Pas përdorimit të kësaj metode, variçet nuk do t’ju shqetësojnë më” janë të rreme. Në postim nuk është ofruar asnjë dëshmi shkencore se kremi i reklamuar mund të shërojë venat e zgjeruara për vetëm 3 ditë. Specialistët e kirurgjisë vaskulare kanë thënë se nuk ka krem që mund t’i shërojë venat e zgjeruara brenda tri apo më shumë ditëve. Ata thonë se janë disa metoda për trajtimin e venave të zgjeruara, duke përfshirë intervenimin klasik kirurgjik apo me laser.
Artikulli
Më 01.08.2024 faqja në Facebook Darleen Johns (arkiva) ka publikuar një artikull për shërimin e venave.
“Pas përdorimit të kësaj metode, variçet nuk do t’ju shqetësojnë më! Ju lutemi lexoni artikullin përpara se ta fshini” – shkruan në titullin e këtij lajmi.
Nëse klikon mbi këtë artikull të dërgon në faqen e internetit ‘xk.nulodw.com’ (arkiva) në të cilën nuk është i publikuar asnjë artikull siç paralajmërohet në këtë postim. Në linkun e bashkëngjitur është vetëm produkti i rekomanduar për këto vena, ‘Varcosin’, për të cilin pretendohet se i shëron venat e zgjeruara brenda 3 ditëve.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër fillimisht ka kontrolluar në listën e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës, pasi neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) në Kosovë rezulton se produkti ‘Varcosin’ nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Më pas, Krypometër ka biseduar me profesionistë të fushës për të parë nëse është e mundur që venat e zgjeruara të shërohen për vetëm 3 ditë si dhe nëse ka raste kur për shërimin e tyre nevojitet intervenimi kirugjik.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hajriz Rudari, ka thënë se venat e zgjeruara nuk mund të shërohen me asnjë lloj kremi.
“Venat shërohen nga metodat me gjilpërë (scleroterapi), intervenim klasik- operim, me laser, me radiofrekuencë, me ngjitës e deri te metodat bashkëkohore më të reja siç është ajo me aparat (sonovein) me rreze ose valë pa prerje e pa anestezion”- thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, dr. Hajriz Rudari.
Ai ka thënë se pretendimet se një kremë mund të shërojë venat e zgjeruara për tre ditë vetëm mund t’u japë shpresa të rreme pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Në një shkrim autorial në portalin Telegrafi.com, kirurgu vaskular Adhurim Koshi ka shpjeguar në mënyrë të detajuar shkaqet, trajtimin dhe shërimin e venave varikoze.
“Kur shfaqen venat e zgjeruara atëherë operimi i tyre është zgjidhja ideale. Modalitetet e mjekimit janë operimi klasik kirurgjik dhe largimi i venave kryesore te jashtme dhe venave të zgjeruara, operimi me laser dhe radiofrekuencë e njohur si ablacion endovenoz, ablacioni me ngjitës medikal (VenaSeal), ablacioni mekano-kemikal (MOCA) dhe trajtimi me skleroterapi (injektimi i substancës sklerotizuese në brendësi të venës). Po ashtu, sot përdoren edhe teknikat e reja të trajtimit të cilat thirren si teknika të ruajtjes së venës safena (saphenouas sparing technique) CHIVA dhe ASVAL” – thuhet ndër të tjera në shkrimin e Koshit.
Krypometri ka pyetur edhe specialistin e farmacisë klinike, Astrit Haxhijaha, rreth këtij kremi.
“Këtë produktin mundohen ta shesin online, mirëpo sa i përket efikasitetit mund të them se asnjëherë s’mund t’i shërojë venat e zgjeruara. Për trajtimin e venave të zgjeruara varikoze, pacienti duhet t’i drejtohet kirurgut vaskular pasi ai është kompetent për trajtimin e këtij problemi. Pas rekomandimeve të terapisë nga kirurgu vaskular, atëherë pacienti duhet të shkojë në barnatore dhe farmacisti do t’i japë sqarimet e nevojshme për çdo produkt të terapisë dhe pacienti s’duhet asnjëherë të blejë online sa i përket produkteve medicinale”- ka thënë Haxhijaha për Krypometër.
|