schema:text
| - Rrena se Kurti është ftuar në Hagë për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës
Deklarata
Prokuroria Speciale në Hagë thërret Albin Kurtin
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Prokuroria Speciale në Hagë thërret Albin Kurtin” është i rremë. Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, e cila ka juridiksion t’i hetojë krimet e supozuara të luftës gjatë vitit 1998- 2000, nuk e ka ftuar për intervistim kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila është kompetente të hetojë dhe të ndjekë veprat penale për të cilat parashihet dënimi me 10 (dhjetë) vjet e më shumë burgim, veprat penale të korrupsionit zyrtar, veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe veprat penale të pranimit ose dhënies së ryshfetit në sektorin privat, me kusht që dëmi i shkaktuar apo dobia pasurore e përfituar nga vepra penale është më shumë se 500,000 (pesëqind mijë) euro.
Artikulli
Më 11.12.2024, faqja RTV Klan (arkiva) ka publikuar një kronikë në të cilën pretendohet se “Prokuroria Speciale në Hagë thërret Albin Kurtin”, të cilin e ka fshirë pas disa orëve.
Ky lajm më pas është ripublikuar edhe nga faqe në Facebook, si Gijotina (arkiva), Infoshqip.com (arkiva), Zani Veriut (arkiva), Tirana News (arkiva), Bulevard News (arkiva), Politiko.al (arkiva), Elbasanion (arkiva) dhe Gazeta Reforma (arkiva). Ndërkohë që, faqja e parë që e kishte publikuar këtë informacion, RTV Klan (arkiva), e ka fshirë këtë informatë nga kanali i tyre në Youtube.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka shfletuar njoftimet e publikuara nga stafi i Zyrës së Kryeministrit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e kishte publikuar ftesën që i është dërguar Kryeministrit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila mban nënshkrimet e Prokurorëve, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në Zgjedhjet e vitit 2025, nga Kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.”- ka shkruar Kryeziu në Facebook. Kryeministri është thirrur të paraqitet në Prokurorinë Speciale, më 16.12.2024.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk e ka qendrën në Hagë, por në Prishtinë. Në Hagë janë të vendosura Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të cilat janë themeluar në bazë të një Marrëveshje Ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një Amendamenti Kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Prokuroria Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë kompetenca të ndryshme.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat e juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 01.01.1998 dhe 31.12.2000, nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është kompetente të hetojë dhe të ndjekë veprat penale për të cilat parashihet dënimi me 10 (dhjetë) vjet e më shumë burgim, veprat penale të korrupsionit zyrtar, veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe veprat penale të pranimit ose dhënies së ryshfetit në sektorin privat, me kusht që dëmi i shkaktuar apo dobia pasurore e përfituar nga vepra penale është më shumë se 500,000 (pesëqind mijë) euro.
Kryeministri Kurti është thirrur për intervistim në cilësinë e dëshmitarit
Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit, të publikuar nga Kryeziu, përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.
KALLXO.com ka tentuar të marrë detaje nga zëdhënësja e PSRK-së, Liridona Kozmaqi, por ajo ka qenë e paqasshme.
Të pandehur në rastin e rezervave shtetërore janë Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.
Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.
|