schema:text
| - Pretendime të rreme se Trump ka folur për Kurtin
Deklarata
“Albin Kurtin e shoh si partner shum te mir sipas asaj qe kam par Kosova do futet para Shqiperis ne Evrop Brenda 7 vite Kosova do jet lider ne Ballkan Trondit Donald Trump per BBC.”
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë pretendimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka thënë se: “Albin Kurtin e shoh si partner shum te mir sipas asaj qe kam par Kosova do futet para Shqiperis ne Evrop Brenda 7 vite Kosova do jet lider ne Ballkan Trondit Donald Trump per BBC.” Trump nuk ka bërë ndonjë deklarim rreth Albin Kurtit, që është duke garuar në Zgjedhje për një mandat të tretë si Kryeministër.
Artikulli
Më 06.02.2025, faqja në Threads tvsupersky (arkiva) ka publikuar një infografikë në të cilën shihet presidenti i SHBA, Donald Trump dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Trump heq vizat per Kosoven Flm Km Kurti, Respekt legjend”- shkruan në këtë infografikë, ndërsa më poshtë i është shtuar edhe një deklaratë që pretendohet se Trump e ka thënë për kryeministrin Kurti.
“Albin Kurtin e shoh si partner shum te mir sipas asaj qe kam par Kosova do futet para Shqiperis ne Evrop Brenda 7 vite Kosova do jet lider ne Ballkan Trondit Donald Trump per BBC.”- thuhet tutje në këtë infografikë.
I njëjti lajm është shpërndarë nga e njëjta faqe edhe në Facebook Televizioni SuperSky (arkiva).
Krypometër ka kontrolluar fillimisht uebfaqen e televizionit BBC, për të parë nëse presidenti Trump ka thënë një gjë të tillë, por aty nuk gjendet ndonjë lajm për heqjen e vizave ndaj Kosovës apo nëse presidenti Trump ka thënë një gjë të tillë.
Tutje, Krypometër ka kontrolluar edhe profilin e presidentit Donald Trump në rrjetin social X, në të cilin nuk është gjetur ndonjë lajm për liberalizimin të vizave ndaj Kosovës.
Krypometër ka kontrolluar edhe faqen zyrtare në Facebook të kryeministrit Albin Kurti dhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, por nuk është gjetur ndonjë postim me përmbajtje të tillë.
As në faqen zyrtare të Ambasadës së Amerikës në Kosovë nuk ka ndonjë njoftim për heqje të vizave për Kosovën.
Më 03.02.2025, Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si Emisar Presidencial për Misione të Posaçme, në rrjetin social X kishte shkruar se Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme.
“Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit. As në mandatin e Bidenit. Republikanët dhe demokratët kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrje të njëanshme të veprimeve dhe destabilizim të rajonit.”- shkruan Grenell mes të tjerash.
Më 01.01.2024 janë liberalizuar vizat për kosovarët për shtetet anëtare të marrëveshjes Shengen.
|