schema:text
| - Video e vjetër e Uglesha Jarediq që po ri-shpërndahet në Facebook
Deklarata
Moj Kosovë jo nuk m’poshtësh kurrë Shperndaje nese ndihesh krenar!
Vlerësimi
Me kos
Në videon e shpërndarë së fundmi në Facebook, shihet ish-shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në regjionin e veriut, Uglesha Jarediq, tash i kërkuar nga Interpoli për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë. Jarediq tashmë është identifikuar në mesin e personave që ishte i përfshirë në rastin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023. Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dorëzuar tek institucionet e Kosovës, emri i Jarediqit përmendet si i përfshirë në këtë rast.
Artikulli
Më 23.07.2021 faqja e Facebook ‘Njesia Speciale’ (arkiva) ka publikuar një video me përshkrimin “’Moj Kosovë jo nuk m’poshtësh kurrë’ Shperndaje nese ndihesh krenar!”.
Video materiali i shpërndarë ka marrë mbi 20 mijë reagime, 680 komente, ndërsa është shpërndarë rreth 5 mijë e 600 herë. E njëjta video është shpërndarë në Facebook edhe gjatë muajit shkurt të vitit 2024.
Në sekondat e parë të videos në fjalë, shihet Uglesha Jarediq, i cili sot më nuk është pjesë e Policisë së Kosovës, përkundrazi, Jarediq sot është person i kërkuar edhe nga Policia e Kosovës e edhe nga Interpol-i.
Duke përdorur makinën e kërkimit, Krypometër ka arritur të dokumentojë që 15 sekondat e parë të materialit janë shkëputur nga emisioni Drejtësia në Kosovë “Policia e Kosoves: Aksioni ne veri”. Ky emision ishte publikuar 18.09.2015 dhe kishte shfaqur filmime të pjestarëve serb të Policisë së kosovës në një operacion rutinor për armë në Mitrovicën e Veriut.
Përmes kërkimeve në “Google”, Krypometër ka gjetur se në video shihet ish-shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në regjionin e veriut, Uglesha Jarediq.
Me një kërkim në Google kuptohet se Jarediq tashmë është identifikuar në mesin e personave që ishte i përfshirë në rastin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.
Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dorëzuar tek institucionet e Kosovës, emri i Jarediqit përmendet si i përfshirë në këtë rast.
Për të dokumentuar përfshirjen e tij Ministria ka përdorur një fotografi ku Jarediq shihet në një makinë bashkë me dy persona të tjerë.
Fotografia, sipas të dhënave të MPJ-së, është realizuar rreth orës 16:39h me datë 23.09.2023. Fotografia është realizuar gjatë kohës sa grupi ishte nisur nga Novi Pazari për në Banjskë.
Diku 10 orë para se të bëhej sulmi fillestar me një granatë kundër këmbësorisë me teledirigjim, e cila shpërtheu rreth orës 02:30h të datës 24.09.2023, grupi terrorist i uniformuar e i armatosur ishte nisur nga Novi Pazari drejt Banjskës.
Detajet që janë përdorur në dokumentin e MPJ-së tregojnë edhe se kanë arritur që të nxjerrin fotografi e materiale tjera nga telefonat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u ishin gjetur në Banjskë.
Gjithashtu, Jarediq është njëri nga 20 personat që hyjnë në listën e të kërkuarve nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL. Edhe ai dyshohet për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë.
Në orët e para më 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Disa prej personave të përfshirë në sulmin në Banjskë u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit kanë ikur në Serbi. Gati pesë muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij, Radoiçiq kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën duke thënë tutje edhe se pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Lista Serbe. Radoiçiq gjithashtu po kërkohet nga INTERPOL-i për rastin e Banjskës.
Jarediq kishte udhëhequr njësinë speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore deri pak javë para se policët të ofronin dorëheqje masive më 05.11.2022.
Më 08.02.2022, Uglesha Jarediq ishte suspenduar, pasi dyshohej se kishte kryer veprën penale të dhunës në familje.
Në një përgjigje për KALLXO, Inspektorati Policor i Kosovës pati thënë se për shkak të dyshimit të bazuar kanë rekomanduar edhe suspendimin e Jarediq.
KALLXO pati mësuar se, Jarediq kishte dërguar mesazhe shqetësuese te ish-bashkëshortja e tij.
Kjo e fundit pas këtyre mesazheve të cilat i kishte konsideruar si kanosje e kishte lajmëruar Jarediqin në Policinë e Kosovës.
|