schema:text
| - Rrena se janë ndarë milionat për Kaçanikun
Deklarata
Miliona euro për Kaçanikun
Vlerësimi
Me kos
Publikimi i disa fotografive me përshkrimin “Miliona euro për Kaçanikun” nga faqja e Facebook-ut “sje kacanikli nese oficial” është i rremë. Krypometri kontaktoi deputetin që shihet në fotografi dhe kryetarin e Komunës së Kaçanikut dhe vërtetoi se Kaçanikut nuk i janë ndarë miliona euro nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për vitin 2023. Buxheti i Komunës së Kaçanikut është 11,958,983 euro.
Artikulli
Më 15 dhjetor 2023 faqja e Facebook-ut “sje kacanikli nese oficial” (Arkiva) publikoi disa fotografi me përshkrimin “Miliona euro për Kaçanikun”. Në fotografitë e publikuara shihet deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milazim Salijaj.
Krypometri më 18/12/2023 verifikoi informacionin e publikuar nga faqja e Facebook-ut “sje kacanikli nese oficial”.
Për ta vërtetuar informacionin, Krypometër kontaktoi vetë deputetin të cilit i atribuohet deklarata, Milazim Salijaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj tha se një deklarim të tillë nuk e ka dhënë për media.
“Unë nuk kam dhënë deklaratë për asnjë cent dhe nuk kam përmendur miliona, por dëshira dhe vullneti është që investimet në komuna të jenë miliona euro”– ka thënë deputeti Salijaj.
Përmes një mesazhi, ai gjithashtu shpjegoi se në komunën e Kaçanikut pritet të ndërtohet një shkollë, sipas tij vlera e saj pritet të jetë miliona euro.
“Ndërtimi i ShFMU “Emin Duraku” në Kaçanik do të ketë vlerë miliona euro, ngase bëhet fjalë për një objekt të ri shkollor dhe numër të nxënësve prej 902 nxënës”– tha deputeti.
Krypometri më 18/12/2023 ka verifikuar në projektligjin për buxhetin për të parë mjetet financiare që Qeveria e Kosovës ka ndarë për ndërtimin e shkollës “Emin Duraku” në Kaçanik.
Në projektligjin për buxhetin janë ndarë 250 mijë euro si mjete të reja për vitin 2024. Në një linjë buxhetore janë futur tri shkolla: dy në Komunën e Gjilanit dhe një në komunën e Kaçanikut.
Emri i projektit është “Ndërtimi i shkollës në Livoç të Ulët në Gjilan dhe renovimi i shkollës në Bresalc në Gjilan, ndërtimi i shkollës E.Duraku në Kaçanik” ndërsa data e fillimit të këtij projekti në projektligjin për buxhet përmendet muaji qershor i vitit 2026 dhe muaji i fundit i vitit 2030.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në një deklaratë për Krypometër më 18/12/2023 tha se komuna që ai drejton qe disa vite nuk ka asnjë projekt që kap miliona euro. Sipas tij, as në ndarjet e fundit buxhetore nga Qeveria e Kosovës, komuna e tij nuk ka përfituar asnjë projekt.
“Jo, sa për informacion, është viti i katërt për Kaçanik që s’e kemi asnjë cent për investime kapitale, asnjë projekt i ri për komunën tonë. Deri në këtë moment nuk kemi, urojmë me qenë qashtu por, nuk është”- ka thënë Ilazi.
Tutje, ai ka komentuar edhe informacionet e publikuara në rrjete sociale mbi milionat për Kaçanikun.
“Ai ka qenë një postim i deputetit të Vetëvendosjes, ai ka shkruar për grantin qeveritar që i takon Komunës së Kaçanikut, që i takon secilës komunë por, jo nga buxheti qendror ose ministritë e linjës”– tha kryetari i Kaçanikut.
“Është një kod atje në buxhet ku shkruan, renovimi ose ndërtimi i shkollës në Livoç dhe Bresallc, nëse nuk gaboj, janë në Gjilan e pastaj është edhe shkolla “Emin Duraku” në Kaçanik. Vlera është 250 mijë euro por duke ditë që vetëm vlera e shkollës në Kaçanik që i ka 1,500 nxënës kap vlerën e 3 milionë euro…”– ka deklaruar i pari i komunës së Kaçanikut.
Buxheti i Komunës së Kaçanikut për vitin 2024 është 11,958,983 euro. Ky buxhet përbehet nga të hyrat vetanake të komunës si dhe granteve të Qeverisë (granti i përgjithshëm, granti i Arsimit dhe ai i shëndetësisë), të cilat ndahen në bazë të formulës që aplikohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha komunat.
|