schema:text
| - Rrena për shtyrjen e vendimit për targa
Deklarata
Shtyerja e vendimit për targat, Policia qëndron stoikisht në veri të Kosovës
Vlerësimi
Rrenë
Video me përshkrimin “Shtyerja e vendimit për targat, Policia qëndron stoikisht në veri të Kosovës” është i rremë. Në muajin shkurt të vitit 2024 nuk është marrë asnjë vendim i ri sa i përket targave. Vendimi për moslejimin e targave ilegale në Kosovë ka hyrë në fuqi më 15.12.2023 dhe nuk është shtyrë më.
Artikulli
Më 14.02.2024 profili në TikTok “Mrs.xonna” (arkiva) ka publikuar një video me informacionin se Policia po qëndron stoikisht në veri pas shtyrjes së vendimit për targat.
“Shtyerja e vendimit për targat, Policia qëndron stoikisht në veri të Kosovës”– shkruhet krahas pamjeve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka vizituar faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë së Kosovës dhe në asnjërën prej faqeve pas datës 10.02.2024, nuk është publikuar asnjë njoftim për ndonjë vendim të ri për targat.
Krypometër, përmes kërkimeve në internet, ka gjetur se vendimi për targat ka filluar zbatimin më 15.12.2023.
Sipas këtij vendimi, nga 16.12.2023, qytetarët të cilët nuk i kishin regjistruar veturat në RKS – Republika e Kosovës, nuk janë lejuar që të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe për komunat kosovare, ngase shteti i Kosovës i konsideron si ilegale.
“Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15.12.2023, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi”– kishte thënë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës kishte shtyrë disa herë vendimin për targa. Më 29.06.2022, Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 01.08.2022 pronarët e automjeteve me targa ilegale t’i konvertojnë ato në RKS. Pas kërkesë së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, zbatimi i vendimit ishte shtyrë për një muaj, deri në fund të tetorit 2022.
Kur po vinte fundi i tetorit, SHBA-të kërkuan që vendimi të shtyhej për 10 muaj. Kurti e ndryshoi vendimin, duke e bërë regjistrimin e automjeteve me targa ilegale në tri faza dhe implementimi i vendimit të fillonte më 01.11.2022.
Në prag të datës 21.11.2022, fillimi i fazës së dytë, asaj të gjobitjes së pronarëve të automjeteve me targa ilegale, u vendos që gjobat të shqiptoheshin nga 22.11.2022, në përpjekje për të gjetur zgjidhje në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë, mes Kurtit e Vuçiqit, më 21.11.2022. Takimi përfundoi pa marrëveshje.
Në prag të datës 22.11.2022, datës së përcaktuar për fillimin e shqiptimit të gjobave, ambasadori i SHBA-së kërkoi nga Qeveria e Kosovës që shqiptimi i gjobave të shtyhej për 48 orë. Kërkesa e SHBA-së u pranua. Brenda këtyre 48 orëve, më 23.11.2022 u arrit marrëveshje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Ky vendim ishte shtyrë sërish deri më 01.12.2023, për t’u shtyrë sërish deri më 15.12.2023, që ishte edhe shtyrja e fundit e këtij vendimi. Më 16.12.2024, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i kishte thënë se deri në ditën kur ishte mbyllur afati, 4,248 vetura ishin regjistruar me targa RKS.
|