schema:text
| - Keqpërdorimi i fushatës së Bankës Ekonomike nga institucionet e palicencuara
Deklarata
Kredi fiks vec per ty! Merr kredi ne 100,000€ ne KREDI PERSONALE! Te sigurt dhe te shpejte! Aplikoni online👉https://m.me/krediprivate
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi “Kredi fiks vec per ty! Merr kredi ne 100,000€ ne KREDI PERSONALE! Te sigurt dhe te shpejte! Aplikoni online👉https://m.me/krediprivate”. Në këtë postim është keqpërdorur llogo dhe fushata për kredi e Bankës Ekonomike. Banka Ekonomike për Krypometër kanë thënë se fushata e tyre është keqpërdorur nga faqe të paautorizuara. Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk figuron që ka licencë asnjë institucion financiar dhe bankar me emrin Kredi personale.
Artikulli
Më 31.08.2024 faqja në Facebook Kredi personale (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi deri në 100 mijë euro.
“Kredi fiks vec per ty! Merr kredi ne 100,000€ ne KREDI PERSONALE! Te sigurt dhe te shpejte! Aplikoni online👉https://m.me/krediprivate”- shkruan poshtë infografikës.
Kur klikon në këtë postim për më shumë informacione, linku të dergon tek një bisedë [chat] në rrjetin social Facebook.
Krypometër ka komunikuar me personat që e menaxhojnë këtë faqe dhe të cilët kanë thënë se janë të licencuar, mirëpo nuk kanë treguar se nga cili institucion kanë marrë licencë.
Krypometër ka kontrolluar edhe ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kososvës (BQK), përkatësisht listën e institucioneve financiare të licencuara/ regjistruara në vend dhe aty nuk figuron asnjë institucion me emrin Kredi personale.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për të parë nëse ka ndonjë institucion të licencuar për lëshim të kredive të tilla.
BQK-ja në një përgjigje me shkrim ka thënë se “Kredi personale” nuk korrespondon me ndonjë institucion të licencuar nga BQK-ja.
“Publikimet e tilla sikurse kjo në faqen/ profilin e Facebookut “Kredi personale” nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licencuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët, dhe me këtë ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime”- kanë thënë nga BQK-ja për Krypometër.
Përmes kërkimit të fotografive në Google Lens, Krypometër ka gjetur se infografika e publikuar nga Kredi personale (arkiva) është marrë nga Banka Ekonomike.
Krypometër ka pyetur zyrtarë të këtij institucioni financiar nëse kanë të bëjnë diçka me këtë postim të faqes Kredi personale (arkiva) dhe të njëjtit kanë thënë se ky publikim nuk u takon atyre.
Ata kanë thënë se rasti do të inicohet në institucionet e Kosovës për keqpërdorim të markës tregtare.
“Rasti që keni raportuar është përcjellë menjëherë tek departamentet përkatëse, të cilat po verifikojnë faqen në rrjetin social Facebook për të hetuar dhe ndaluar çdo keqpërdorim të markës sonë tregtare apo shenjave tona identifikuese”- thuhet në përgjigjen e Bankës Ekonomike.
Në përgjigjen me shkrim të Bankës Ekonomike thuhet se të gjitha njoftimet dhe fushatat i publikojnë në kanalet zyrtare të bankës.
“Në vazhdimisht publikojmë njoftime dhe këshilla përmes kanaleve tona zyrtare (WEB faqe/ faqe interneti, rrjete sociale) për të informuar publikun dhe klientët tanë lidhur me masat e kujdesit dhe mënyrat për t’iu shmangur çdo rreziku të mashtrimeve apo keqpërdorimeve nga kanalet e paautorizuara sikurse është ky rast dhe të ngjashëm”- thuhet tutje në përgjigjen e Bankës Ekonomike.
|