schema:text
| - Informacioni i rremë se në Kosovë kanë arritur raketat më të fuqishme në botë nga Turqia
Deklarata
Arrin raketat më të fuqishme të botës në Kosovë nga Turqia, për shkak të konfliktit të fundit Kosovë – Serbi
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Arrin raketat më të fuqishme të botës në Kosovë nga Turqia, për shkak të konfliktit të fundit Kosovë – Serbi” është i rremë. Krypometër ka verifikuar me burime zyrtare se një informacion i tillë është i rremë.
Artikulli
Më 12 korrik 2023, faqja në TikTok “Mtrks25” (arkiv) ka shpërndarë një video të një aeroplani ushtarak, thikave e plumbave, me përshkrimin “Arrin raketat më të fuqishme të botës në Kosovë nga Turqia, për shkak të konfliktit të fundit Kosovë – Serbi”.
Kjo video nuk është e xhiruar në Kosovë, e as aeroplanët e armatimi në video nuk kanë arritur në Kosovë.
Në aeroplanin që shihet në video shkruan “Força Aerea Brasileira”, që në shqip do të thotë Forcat Ajrore të Brazilit, që nënkupton se ky aeroplan i takon ushtrisë së këtij shteti.
Në video shihet të shkruhet edhe “Expoaer 2023” me një flamur brazilian afër. Krypometri ka kërkuar në internet dhe ka gjetur se “Expoaer 2023” ka qenë një program i organizuar nga Forcat Ajrore Braziliane më 14 tetor në Santa Maria të Brazilit, gjatë të cilit qytetarët kanë pasur mundësi të shohin armatimin e ekspozuar dhe aktivitete të ndryshme.
Krypometri ka kontaktuar edhe me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci lidhur me këtë informacion. Maqedonci tha se përveç sistemit të armëve antitank “Omitas” nuk kanë pranuar diçka tjetër së fundmi nga Turqia.
Edhe këshilltarja e ministrit Maqedonci, Liridona Gashi mohoi të kenë pranuar një donacion të tillë.
“Jo, Ministria e Mbrojtjes nuk ka pranuar një donacion të tillë” – tha Gashi për KALLXO.com.
|