schema:text
| - Ofertat e rreme për kredi duke keqpërdorur fushatën ‘Raiffeisen Bank’
Deklarata
Bëni qëllimin e biznesit realitet! Dëshironi të zgjeroni biznesin tuaj? KREDI PERSONALE ju ofron një mundësi të shkëlqyer për të bërë hapin e radhës: ✅ Kredi biznesi deri në 120,000€; ✅ Pa hipotekë; ✅ Aplikim i thjeshtë dhe i shpejtë
Vlerësimi
Rrenë
Fushata për kredi për biznes deri në 120 mijë euro e publikuar në faqen “Kredi personale” është e rreme. Postimi dhe ilustrimi i publikuar nga kjo faqe është marrë pa autorizim nga një fushatë e njëjtë që ka hapur Raiffeisen Bank. Kjo Bankë ka thënë për Krypometër se fushatën e tyre për kredi e publikojnë në faqen e tyre zyrtare dhe se publikimet tjera bëhen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve. Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se nuk ka licencuar asnjë institucionet financiar që ka të drejtë të lëshojë kredi me emrin “Kredi personale”.
Artikulli
Më 01.10.2024 faqja në Facebook Kredi personale (arkiva), ka publikuar një ofertë për kredi. Në këtë publikim ofrohet kinse mundësia e marrjes së kredisë për biznes deri në 120,000 euro pa hipotekë.
“Bëni qëllimin e biznesit realitet! Dëshironi të zgjeroni biznesin tuaj? KREDI PERSONALE ju ofron një mundësi të shkëlqyer për të bërë hapin e radhës: ✅ Kredi biznesi deri në 120,000€; ✅ Pa hipotekë; ✅ Aplikim i thjeshtë dhe i shpejtë”- shkruan mbi info grafikën e publikuar nga kjo faqe.
Kur klikon për më shumë informacione, linku të dergon tek një chat në rrjetin social Facebook.
Krypometri ka biseduar me përfaqësues të kësaj faqeje, të cilët kanë thënë se kredia minimale është 3 mijë euro dhe interesi është 2%.
“Kredia minimale që ne japim është 3,000 euro. Për më shumë informacion na dërgoni Numrin Tuaj WhatsApp. Ky është një simulim, rezultatet mund të rrumbullakosen dhe tabela e amortizimit mund të ndryshojë pak nga dokumentet përkatëse të emetuesit të kredisë tuaj. Parametrat e kredisë: Shuma e kredisë: 3,000 euro, Kohëzgjatja e kredisë: 24 muaj, Norma vjetore e kredisë: 2%, Debutimi i kredisë: 10/ 2024, Kredia mujore: 140 euro” – kanë thënë përfaqësues të Kredi personale.
Pas kësaj përgjigje, Krypometër i ka pyetur ata nëse janë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës për të lëshuar kredi të shpejta, por ata kanë thënë që janë të licencuar, mirëpo nuk kanë treguar se nga cili institucion.
Krypometër përmes kërkimit të fotografisë në “Google Fact Check Tools” ka gjetur se fotografia dhe infografika e njëjtë është publikuar për herë të parë nga Raiffeisen Bank, më 06.09.2024.
Postimi në Facebook i Raiffeisen Bank i bërë 06.09.2024 është i njëjtë më atë që është bërë nga faqja në Facebook Kredi personale (arkiva) më 01.10.2024.
I vetmi ndryshim është emri i bankës.
“Bëni qëllimin e biznesit realitet! Dëshironi të zgjeroni biznesin tuaj? Banka Raiffeisen ju ofron një mundësi të shkëlqyer për të bërë hapin e radhës: ✅ Kredi biznesi deri në 120,000€; ✅ Pa hipotekë; ✅ Aplikim i thjeshtë dhe i shpejtë. Aplikoni tani dhe bëni hapin e radhës drejt suksesit”- shkruan në ofertën e Raiffeisen Bank.
Për të verifikuar tutje këtë postim, Krypometër ka dërguar pyetje tek Raiffeisen Bank.
Nektar Zogiani nga Raiffeisen Bank ka thënë se ky institucion financiar komunikon me klientët e saj vetëm përmes kanaleve zyrtare të saj dhe se postimi tjetër është mashtrim.
“Faqja që ju përmendët nuk është e lidhur me bankën tonë. Në këtë kontekst, këshillojmë klientët tanë dhe publikun të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e kanaleve jozyrtare që kanë për qëllim mashtrimin”- ka thënë Zogiani për Krypometër.
Krypometri ka kontrolluar edhe ueb-faqen e BQK-së, përkatësisht Listën e institucioneve financiare të licencuara/regjistruara në Kosovë dhe aty nuk figuron asnjë institucion me këtë emër: Kredi personale.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Bankën Qendrore të Kosovës për të parë nëse ka ndonjë institucion të licencuar për lëshim të kredive të tilla.
BQK-ja, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se “Kredi personale” nuk korrespondon me ndonjë institucion të licencuar nga BQK-ja.
“Publikimet e tilla sikurse kjo në faqen/profilin e Facebookut “Kredi personale” nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licencuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët, ku me këtë ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime”- kanë thënë nga BQK-ja për Krypometër.
|