schema:text
| - Shtrembërohen arsyet e arrestimit të tre qytetarëve serb
Deklarata
Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i rradhës, është Urosh Vukasinoviq
Vlerësimi
Me kos
Postimi se “tre ekstremistë serbë që kishin lidhje me armatimin e gjetur në veri” është i rremë. Personat që përmenden në postimin e faqes “Gazeta Selam” janë arrestuar për sulme ndaj gazetarëve. Përveç kësaj, arrestimi i tre qytetarëve serbë është bërë disa ditë para se të zbulohet një sasi e konsiderueshme e armatimit në atë pjesë të Kosovës.
Artikulli
Me datë 20 korrik 2023, faqja në Facebook “Gazeta Selam” ka publikuar një fotografi me mbishkrimin: “Thyhen parimet e Kurtit për krizën në veri, lirohen tre ekstremistë serbë që kishin lidhje me armatimin e gjetur në veri…”.
Fotografia e publikuar nga kjo faqe në Facebook, është e fabrikur. Aty shihet në prapavijë protesta e qytetarëve serb para Komunës së Zveçanit, tre fotografi të tre personave të arrestuar gjatë muajit qershor në veri të vendit dhe një fotografi e Albin Kurtit.
Tre të arrestuarit për të cilën kjo faqe ka thënë se janë liruar, janë Urosh Vukashinoviq, Dalibor Spasiq dhe Nemanja Vllashkoviq.
Nemanja Vllashkoviq është arrestuar me 16 qershor 2023. Dalibor Spasiq me 17 qershor 2023 dhe Urosh Vukashinoviq më 19 qershor 2023.
Në bazë të të dhënave zyrtare nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tre të lartëpërmendurit nuk ishin arrestuar për armatim, por “për sulme brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve në veri të Kosovës”.
“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i rradhës, është Urosh Vukasinoviq”- është postimi i Ministrit Sveçla të cilin e ka publikuar më datë 19 qershor 2023.
“Është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinjë edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic”- është postimi në Facebook i ministrit Sveçla me datë 17 qershor 2023.
“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”- ka njoftuar në Facebook ministri Sveçla me datë 16 qershor 2023.
Armatimi që shte zbuluar në afërsi të Komunës së Zveçanit kishte ndodhur me datë 23 qershor, pra disa ditë pas arrestimit të tre personave që janë përmendur në postimin e bërë nga faqja Gazeta Selam.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media më datë 24 qershor 2023 kishte thënë se vetura me armatim dyshohet se kishte qëndruar në po të njëjtin lokacion për disa ditë, rreth 100 metra larg objektit të Komunës së Zveçanit.
Pra, në bazë të njoftimeve zyrtare të kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla por edhe policisë, tre të arrestuarit të cilët janë përmendur nga faqja në Facebook “Gazeta Selam” janë të dyshuar për sulme ndaj gazetarëve të cilët kanë raportuar nga veriu që nga 26 maji 2023 e tutje.
|