schema:text
| - Rrena për Bedri Hamzën dhe një vjedhje
Deklarata
“Vjedhje e madhe nga Hashimi e Bedriu në BQK. 1 Miliard në Kazinot e Hebrejit Ariel Raubvogel, mik i Hamzës”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me mbishkrimin “Vjedhje e madhe nga Hashimi e Bedriu në BQK. 1 Miliard në Kazinot e Hebrejit Ariel Raubvogel, mik i Hamzës”- është i rremë. Nuk ka asnjë vendim apo pretendim për ndonjë rast të vjedhjes së 1 miliard eurove. Rexhepi nuk e ka përmendur kandidatin për Kryeministër, Bedri Hamzën në emision dhe intervistën për gazetë. I kontaktuar nga Krypometër Hashim Rexhepi ka thënë se postimi është tërësisht i rremë.
Artikulli
Më 06.02.2025, faqja në Facebook Albin Forca (arkiva) ka publikuar një video të shkëputur nga emisioni “Kallxo Përnime”, mbi të cilën shkruan “Vjedhje e madhe nga Hashimi e Bedriu në BQK. 1 Miliard në Kazinot e Hebrejit Ariel Raubvogel, mik i Hamzës”.
Tutje, në përshkrimin e kësaj videoje e bëjnë përgjegjës edhe kandidatin për Kryeministër të Republikës së Kosovës nga PDK, Bedri Hamza.
“U VODHËN 1 MILIARDË EURO, ASKUSH NUK PËRGJIGJET. 1 miliard euro u vodhën duke u investuar në Kazino hebreje të Ariel Raubvogel, mik i Kadri Veselit, Thaçit e Bedri Hamzës. Të gjitha u avulluan në aksione. ME PDK U VODHËN QYTETARËT DHE SHTETI. Fol Bedri Hamza, na trego.”- shkruan në përshkrimin e kësaj videoje.
Krypometër ka kërkuar në internet përmes fjalëve kyçe, mirëpo nuk ka gjetur asnjë raportim për vjedhjen e 1 miliard eurove.
Krypometër ka kontaktuar me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë thënë se kjo është dezinformatë.
“Ky është postim i rremë, është propagandë.”- ka thënë Albatrit Matoshi nga PDK.
Krypometër ka gjetur edhe emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin ishte mysafir ish- guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi.
Emisioni ishte realizuar më 28.10.2021 rreth vërejtjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për menaxhimin e BQK.
“Hashim Rexhepi tregon për vërejtjet e FMN rreth menaxhimit të BQK”- ishte titulli i këtij emisioni.
Megjithëkëtë, gjatë një ore e gjysmë sa zgjat emisioni, ish- guvernatori i BQK, Hashim Rexhepi, nuk e përmend askund kandidatin për Kryeministër nga PDK, Bedri Hamza.
Rexhepi pretendon se ai ishte arrestuar pasi kishte refuzuar që të investohen paratë e BQK, sipas udhëzimeve të izraelitit, Ariel Raubvogel. Mirëpo, Rexhepi nuk e përmend dhe as inkriminon në këtë rast kandidatin për Kryeministër të PDK, Bedri Hamzën.
Faqja në Facebook Albin Forca (arkiva) e ka publikuar edhe një artikull të portalit albinfo.ch, të cilin e ka gjetur Krypometër.
“Ish-guvernatori flet për anën e errët të Hashim Thaçit”- është titulli i këtij artikulli.
Ky portal e ka marrë këtë artikull nga Gazeta Fjala. Krypometër nuk e ka gjetur artikullin në këtë portal, megjithatë artikulli i njëjtë është publikuar edhe nga portali gazetatema.net.
Krypometër e ka analizuar artikullin e shpërndarë nga faqja Albin Forca (arkiva), mirëpo as aty nuk përmendet kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza.
Rexhepi në këtë artikull kishte folur për kërkesën që i ishte bërë atij për investime të parave jashtë Kosovës, e kishte përmendur një takim që sipas pretendimeve të tij ishte mbajtur në Zyrën e Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi. Por, ai nuk kishte thënë se në takim ishte edhe Bedri Hamza, mirëpo e kishte përmendur ish- ministrin e Financave të asaj kohe, Ahmet Shalën.
Por, për të verifikuar edhe njëherë këtë pretendim, Krypometër ka kontaktuar me ish- guvernatorin e Republikës së Kosovës, Hashim Rexhepi.
Ai ka thënë se pretendimet në këtë postim janë të rreme.
“Këto janë broçkulla të fushatës zgjedhore. Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë. Konsideroj se është tërësisht lajm i rremë.”- ka thënë Rexhepi në një përgjigje për Krypometër.
Më 23.07.2010 ishte arrestuar Hashim Rexhepi nën dyshimin për korrupsion, kur EULEX kishte bastisur Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Ndërsa më 13.01.2012, Kolegji i Gjyqtarëve të EULEX ka refuzuar ankesën e Prokurorisë për të vazhduar hetimet ndaj ish- guvernatorit të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, i cili ishte shpallur i pafajshëm më 12.12.2011.
Hashim Rexhepi ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat që e rëndonin atë për: “shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit”, “ushtrim të ndikimit dhe mashtrimit” dhe veprave të tjera penale. Në tërësi të nëntë veprave penale.
Pas gati 10 vjetëve, Rexhepi është kompensuar për dëmin që sipas tij i është shkaktuar për arrestimin e tij.
|