schema:text
| - Rrena se Instituti nga Zvicra ka thënë se “Astrit Dehari është VETEVRA!”
Deklarata
Instituti nga Zvicrra i jep fund spekulimeve: Astrit Dehari është VETEVRA! VV duhet të hetohet për shtytje drejtë vetëvrasjes
Vlerësimi
Rrenë
Postimi se “Instituti nga Zvicrra i jep fund spekulimeve: Astrit Dehari është VETEVRA! VV duhet të hetohet për shtytje drejtë vetëvrasjes”- është i rremë. Instituti nga Zvicra nuk ka publikuar ndonjë mendim të ri në të cilin thotë se “Astrit Dehari është VETEVRA!”. Prokuroria Speciale ka thënë të mos kenë pranuar raport të ri nga Instituti Zviceran. Avokati i familjes së Astrit Deharit ka thënë se në raportin e parë dhe atë plotësues nuk është thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë, siç pretendohet në postimin e faqes “Demokratët”.
Artikulli
Më 12.08.2024 në faqen në Facebook “Demokratët” (arkiva) është publikuar një video me mbishkrimin “Instituti nga Zvicra i jep fund spekulimeve: Astrit Dehari është VETEVRA! VV duhet të hetohet për shtytje drejtë vetëvrasjes”.
Në këtë postim nuk janë dhënë fakte tjera shtesë e as nuk është publiku ndonjë dokument që e dëshmon se Instituti i Zvicrës ka dhënë ndonjë përgjige të re rreth rastit të Astrit Dehari.
Astrit Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka vdekur në burgun e Prizrenit derisa ishte në paraburgim si i dyshuar për rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës.
Për të verifikuar pretendimin e publikuar në faqen në Facebook “Demokratët” se “Instituti nga Zvicrra i jep fund spekulimeve: Astrit Dehari është VETEVRA”- Krypometër ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale si dhe me Avokatin e familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi.
Zyra për media e Prokurorisë Speciale kanë thënë se nuk kanë pranuar raport të ri nga Instituti Zviceran rreth rastit të Astrit Deharit.
Tomë Gashi, avokati i familjes së Astrit Dehari ka thënë që një gjë të tillë nuk e thot raporti i institutit të mjekësisë ligjore të Zvicrës.
Mbishkrimin e videos në fjalë, Gashi e ka komentuar se është spekulim.
“Spekulim është ajo, s’e ka thanë kurrkush ashtu. Është një ekspertizë dhe ekspertiza shtesë që e vërteton ekspertizën e parë edhe që i ka eliminu edhe teorinë e vetëvrasjes dhe që kanë konstatuar ADN të personit të tretë. Raporti shtesë ka konstatu që kanë dërguar prova të pa përshtatshme, që janë prova të shkatërruara”- tha Tomë Gashi.
Krypometër më pas i ka kontrolluar deklarimet që janë bërë nëpër vite për rastin e Astrit Deharit.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, më 14.04.2024 kishte deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara dhe nuk janë ruajtur.
Ai ka thënë se kjo ka të bëjë me katër prova që janë dërguar në Zvicër.
Raporti i 12.08.2019 i institutit të Zvicrës në pikën një të konkluzioneve ka ardhë në përfundim se teoria se Astrit Dehari është vetëvrarë duket pak e vërtetë duke i lënë hapsirë që implikimi i një personi të tretë në vdekjen e të ndjerit duhet të kihet parasysh.
Kurse raporti plotësues 44 faqësh i datës 14.09.2019 ka ardhë me përfundim se hipoteza e vetëvrasjes së Astrit Deharit me mjetet që janë paraqitur nga mjeko-ligjorët vendor nuk duket e vërtetë.
“Si përfundim, hipoteza e vetëvrasjes së z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjor nuk duket e vërtetë”- thuhet në raportin plotësues të institutit Zviceran. Raportin e plotë mund të lexoni duke klikuar këtu.
Raporti plotësues thot se “rrethanat e vdekjes së z. Deharit Astrit janë, sipas mendimit tonë, të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal”- vazhdon tutje pika e pestë e konkluzionit të raportit plotësues.
Më shumë se 7 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.
|