schema:text
| - Mbishkrimi i rremë se AAK-PDK-Nisma po festojnë “zajednicën” me Listën Serbe
Deklarata
PDK, AAK, Nisma tu e festu Zajednicën
Vlerësimi
Rrenë
Video me përshkrimin “PDK, AAK, Nisma tu e festu Zajednicën” është e rreme. Partitë opozitare nuk kanë festuar për “Zajednicën”, siç thuhet në këtë postim. Krypometri ka gjetur se video në fjalë është realizuar 3 maj 2018, në 18 vjetorin e themelimit të partisë AAK, e në të cilën kanë qenë të ftuar të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë deputetët e Listës Serbe. Edhe muzika që dëgjohet në sfond është e montuar, pasi që më rastin e shënimit të 18 vjetorit të AAK-së nuk është lëshuar një muzikë e tillë.
Artikulli
Më 13 korrik 2023, faqja e Facebook-ut “Albini për Kryeministër” ka publikuar një video me përshkrimin: “PDK, AAK, Nisma tu e festu Zajednicën”.
Në video shihet ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj teksa shtrëngojnë duart me anëtarët e partisë Lista Serbe.
Në këtë video degjohet Haradinaj duke e falenderuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq për pjesëmarrje, e më pas lëshohet një muzikë tradicionale serbe.
I njëjti material është shpërndarë edhe në faqen “Ancient Illyria”.
Por, përshkrimi i video është i rremë, pasi ish kryeministri Haradinaj nuk ka festuar “për Zajednicën” me pjesëtarë të Listës Serbe.
Krypometri ka gjetur se video është realizuar 3 maj 2018, në 18 vjetorin e themelimit të partisë AAK, e në të cilën kanë qenë të ftuar të gjitha partitë parlemantare, duke përfshirë deputetët e Listës Serbe.
Në fjalimin e tij, Haradinaj duke folur për nevojën e tejkalimit të ndasive etnike, fetare e politike, kishte thënë se si parti janë “në gjendje me u pajtu edhe me ata që deri dje kemi qenë armiq dhe këtë e bëjmë për hirë të vlerës dhe jetës së re në vendin tonë”.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka thënë se Haradinaj nuk e ka festuar “Zajednicën” si thuhet në këtë postim.
“Kjo video është realizuar në njërën nga ngjarjet e organizuara në shënim të përvjetorit të themelimit të Aleancës, ku tradicionalisht, çdo përvjetor ftohen përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, kori diplomatik, shoqëria civile dhe mediat. Në këtë rast, deputetët serb kanë qenë të pranishëm në cilësinë e përfaqësuesve të partive parlamentare nga komuniteti jo shumicë, ashtu siç kanë qenë të pranishëm edhe deputetët nga komunitetet tjera që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës”- ka deklaruar Xhemaili.
Edhe muzika që dëgjohet në sfond është e montuar, sepse pas fjalimit që kishte mbajtur Harandinaj më rastin e shënimit të 18 vjetorit të AAK-së nuk dëgjohet një muzikë e tillë.
|