schema:text
| - Sondazhi i rremë për besueshmërinë e partive politike
Deklarata
Sondazhi i fundit
Vlerësimi
Me kos
Publikimi i fotografisë së liderëve të partive politike në Kosovë së bashku me parashikimin se sa do të fitojnë ato në zgjedhjet e radhës me mbishkrmin “Sondazhi i fundit” është i rremë. Ilustrimi që është përdorë në këtë postim është marrë nga faqja Telegrafi, por e njëjta nuk ka publikuar të dhënat e këtij sondazhi. Në këtë postim nuk janë dhënë informacionet bazike për një sondazh siç janë: organizata/ kompania që e ka bërë sondazhin, metodologjia e përdorur dhe koha e realizimit të saj.
Artikulli
Më 07.06.2024, faqja e Facebook-ut Informata (arkiva), ka publikuar një infografikë që kinse tregon renditjen e partive politike me mbishkrimin “Sondazhi i fundit”. Në këtë infografikë pretendohet se bazuar në sondazhin e fundit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do t’i fitonte 54% të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 23%, Lidhja Dmeokratike e Kosovës (LDK) 19% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të fitonte 4%.
Krypometër ka analizuar postimin dhe ka vërejtur se faqja nuk ka treguar burimit të informacionit dhe as nuk ka treguar se nga kush është bërë ky sondazh.
Përmes instrumentit të kërkimit, Google Search, Krypometër ka gjetur ilustrimin origjinal që ka përdorur faqja për të prezantuar “rezultatet e sondazhit”.
Ilustimi është publikuar nga portali Telegrafi dhe ëshë përdorur në artikullin me tiutll “Bedri Hamza i emëruari i PDK-së për kryeministër– kush mund të jenë kandidatët tjerë të partive politike?”. Në fotografinë origjinale dhe as në artikullin e publikuar në Telegrafi nuk ka të vendosur ndonjë rezultat të ndonjë sondazhi.
Një nga kompanitë që merren me matjen e opinionit publik dhe që bëjnë sondazhe është UBO Consulting. Krypometër ka kontaktuar me UBO Consulting dhe ata kanë thënë se sondazhi që është publikuar në faqen Informata (arkiva) nuk është bërë nga kjo kompani.
Sondazhet e publikuara
Më 01.07.2024, emisioni Pressing në Televizionin 7 e kishte shpalosur sondazhin e realizuar nga kompania e sondazheve “Source” në bashkëpunim me Albanian Post. Një nga pyetjet ka qenë edhe për vlerësimet e liderëve. Rezultatet e këtij sondazhi nuk përputhen me ato të publikuara në faqen Informata (arkiva).
Ndërkaq, më 25.06.2024 mediumi Reporteri ka publikuar një sondazh që thotë se është bazuar në rezultatet e Kompanisë UBO Consulting. Rezultatet e këtij sondazhi i kryer për periudhën 3 deri 15 qershor 2024, nuk janë të njëjta me ato të publikuara në faqen Informata (arkiva)
Më 13.06.2024, Krypometër ka publikuar artikullin për sondazhin për besueshmërinë ndaj partive politike që rrejshëm i atribohet organizatës amerikane NDI. Lajmi u shpërnda në disa portale e faqe të Facebook-ut.
Në lajm thuhej se Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), në muajin e fundit ka bërë një sondazh që tregon matjet e fundit të besueshmërisë së qytetarëve ndaj partive politike, megjithatë Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) e kishte mohuar se rezultatet janë prodhuar nga ta.
“Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) është njoftuar për një raportim që po qarkullon në media sot, i cili pretendohet të japë rezultate të një sondazhi të NDI-së për renditjen e partive politike në Kosovë. Atribuimi i këtij raporti nuk është i vërtetë dhe nuk i përket NDI-së”- thuhet në përgjigjen e NDI-së dhënë për Krypometër, më 13.06.2024.
Publikimi i këtij lajmi që i atribohet NDI është bërë në ditën kur Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) e ka organizuar konferencën që i kushtohet dezinformatave, DISICON. Në këtë konferencë janë prezantuar edhe të dhëna mbi cenueshmërinë e Kosovës nga dezinformatat, por edhe sondazhi se prej nga informohen qytetarët dhe sa janë të ndikuar ata nga informacionet e rreme.
|