schema:text
| - Postimi i rremë në emër të Big Market
Deklarata
Deri më tani, askush nuk ka gjetur një numër tjetër përveç {48}. Sot shpërndajmë çmime surprizë (TOYOTA HILUX 🚗) për ata që marrin një numër tjetër përveç {48} në foto
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Loja shpërblyese në emër të Big Market është e rreme. Postimi “Deri më tani, askush nuk ka gjetur një numër tjetër përveç {48}. Sot shpërndajmë çmime surprizë (TOYOTA HILUX 🚗) për ata që marrin një numër tjetër përveç {48} në foto”- nuk është bërë nga Big Market dhe faqja që e ka postuar këtë njoftim nuk menxhohet nga rrjeti i marketeve “Big Market”.
Artikulli
Më 19.08.2024 faqja në Facebook “𝑩𝒊𝒈 𝑴𝒂𝒓𝒌𝒆𝒕 𝒇𝒂𝒏𝒔” (arkiva) ka publikuar një postim në të cilin pretendojnë se do të shpërndajnë një çmim surprizë, një veturë Toyota “që marrin një numër tjetër përveç {48} në foto”.
“Deri më tani, askush nuk ka gjetur një numër tjetër përveç {48}. Sot shpërndajmë çmime surprizë (TOYOTA HILUX 🚗) për ata që marrin një numër tjetër përveç {48} në foto. Shënim: Kjo veçori është menduar për njerëzit që nuk kanë marrë kurrë një dhuratë nga unë më parë. Për një shans më të mirë për të fituar: Pëlqejeni, Shpërndajeni dhe Na ndiqni”- thuhet në këtë postim.
Krypometër fillimisht ka analizuar të dhënat që posedon faqja.
Faqja “𝑩𝒊𝒈 𝑴𝒂𝒓𝒌𝒆𝒕 𝒇𝒂𝒏𝒔” ka 231 pëlqime dhe 255 ndjekës por tek kategoria kontakti dhe informacionet bazë rreth faqes është vendosur vetëm një adresë “Kuçovë, Shqipëri” pa ndonjë detaj si numri kontaktues apo ndonjë adresë elektronike. Faqja është krijuar më 19.08.2024, pra në ditën që është bërë postimi.
Më pas Krypometër ka kërkuar nëse Big Market ka ndonjë faqe zyrtare në të cilën i publikon njoftimet dhe ka gjetur se ky market ka faqe zyrtare të internetit, në të cilën nuk është publikuar asnjë njoftim për këtë lojë shpërblyese. Edhe në faqet zyrtare në Facebook që ky market i menaxhon: ‘Big Market’ dhe “Big Market – Citypark (Big Market CityPark)” nuk është publikuar asnjë njoftim i ngjashëm, mirëpo aty publikohen ofertat javore e ditore.
Më pas, Krypometër ka kontaktuar me kompaninë “Big Market” për të kërkuar një sqarim për postimin që po qarkullon në rrjet.
Në një përgjigje për Krypometër nga “Big Market” kanë thënë se kjo nuk është faqe zyrtare e tyre, por “faqe pirate”.
“Këto janë faqe pirate, nuk është faqja jonë. Kjo (link) është faqja zyrtare e Big Market”- thuhet në përgjigje.
Në korrik të vitit 2024, Krypometër ka raportuar edhe për një rast tjetër të një postimi të rremë në emër të rrjetit të marketeve “Spar Albania”.
Përfaqësues të rrjetit të marketeve SPAR Albania i patën thënë Krypometrit se faqja nuk menaxhohet nga ta dhe se postimi është i rremë dhe është bërë me qëllim të mashtrimit të qytetarëve.
|