schema:text
| - Kush po rrenë? Deklarata të ndryshme të LDK-së për “Liqenin Trump”
Deklarata
Avdullah Hoti (28.09.2020) “Lidhur me liqenin, ka qenë një kërkesë edhe në Shtëpinë e Bardhë, edhe në takime që kemi pasur këtu nga ambasadori Grenell që në shenjë respekti për angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit Trump të emërohet ky liqe, një epitet i ri si liqeni Trump”
Valon Murtezaj (11.02.2021) “Asnjëherë nuk ka qenë çështja që Ujmanit t’i ndërrohet emri.”
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
Deklarata kundërthënëse janë dhënë rreth idesë për emërtimin e Liqenit të Ujmanit me emrin Liqeni Trump. Derisa Hoti kishte deklaruar publikisht që kjo ishte çështje që është diskutuar, kandidati për deputet i LDK-së, Valon Murtezaj thotë se kjo s’ka qenë kurrë opsion. Me deklarata të tilla i bie që njëri nuk është duke e thënë të vërtetën.
Artikulli
Dy zyrtarët e LDK-së, Valon Murtezaj dhe Abdullah Hoti kanë dhënë deklarata të ndryshme sa i përket ndërrimit të emrit të Liqenit të Ujmanit në “Liqeni Trump”.
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valon Murtezaj në debatin për politikë të jashtme deklaroi që asnjëherë nuk është diskutuar që Liqenit të Ujmanit t’i ndërrohet emri.
“Asnjëherë nuk ka qenë çështja që Ujmanit t’i ndërrohet emri. Sa i përket fizibilitetit janë praktika të njohura për botën e avancuar. Nuk do të ndodh asgjë pas fizibilitetit. Edhe pse një përqindje e ujit dhe territorit aktualisht gjenden në territorin e Serbisë për dallim nga koha që është blerë në kohën e Jugollsavisë, është çështje që duhet të diskutohet”, tha Murtezaj në DebatPernime me Jeta Xharrën.
Por një gjë të tillë nuk e kishte thënë edhe nënkryetari i partisë në të cilën bën pjesë Murtezaj dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti në shtator të vitit 2020 ishte deklaruar rreth propozimit që Liqeni i Ujmanit të mbajë emrin “Liqeni Trump”, pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbinë në Uashington më 4 shtator të këtij viti.
Hoti ka thënë se kjo ka qenë kërkesë edhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Lidhur me liqenin, ka qenë një kërkesë edhe në Shtëpinë e Bardhë, edhe në takime që kemi pasur këtu nga ambasadori Grenell që në shenjë respekti për angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit Trump të emërohet ky liqe, një epitet i ri si liqeni Trump. Kaq”, kishte deklaruar Hoti.
“Është shprehje e vullnetit të mirë që ne të marrim parasysh si shenjë respekti për angazhimin e presidentit Trump”, shtoi ai.
Hoti e kishte mirëpritur propozimin e emisarit për dialogu, Richard Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”, ndonëse ky i fundit këtë propozim e kishte dhënë në formë të një shakaje.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator të vitit 2020 kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të atëherë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në njërën nga pikat e kësaj marrëveshje ishte përmendur edhe Liqeni i Ujmanit.
“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në marrëveshje.
Të ftuarit në emisionin #Debat Pernime debatuan për politikë të jashtme. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, NDS, LVV shpalosën programet e tyre qeverisëse për politikë të jashtme.
Pjesë e debatit ishin: Valon Murtezaj nga LDK, Emilia Rexhepi nga NDS dhe Haki Abazi nga LVV.
Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate, AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.
|