schema:text
| - Foto: Denis Sllovinja
Huqja për fillimin e semestrit të dytë fizikisht në UP
Deklarata
Mediat – “Realizohen kërkesat e studentëve, mësimi fizik fillon në semestrin e dytë”
Vlerësimi
Rrenë
Më 04.02.2020, Universiteti i Prishtinës ka reaguar duke konfirmuar se nuk është marrë ndonjë vendim për fillimin e mësimit fizik.
Artikulli
Rreth dy javë para se të fillojë semestri i dytë i vitit akademik 2020/21 kanë qarkulluar informacione se është marrë vendim për zhvillimin e ligjëratave fizikisht në objektet e Fakultetit.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një njoftimi kishte thënë se është marrë vendim për fillimin e ligjëratave fizikisht në Fakultet.
“Pas kërkesave të shtruara nga Konferenca e Parlamenteve Studentore, në takimin e së premtes (29.01.2021) me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, të gjitha kërkesat janë realizuar.”, thuhet në njoftim.
Disa nga mediat kanë bërë lajm këtë postim të Parlamentit Studentor janë: “Fakte Plus”, “Suhareka Online” dhe “Gazeta Scanner”.
“Realizohen kërkesat e studentëve, mësimi në Universitete fillon në mënyrë fizike”, “Realizohen kërkesat e Parlamentit Studentor të UP-së, lirohen nga pagesa të gjithë studentët e nivelit Bachelor” “Realizohen kërkesat e studentëve, mësimi fizik fillon në semestrin e dytë” janë titujt të cilët janë përdorur në artikuj.
Në anën tjetër, dje Universiteti i Prishtinës ka reaguar se nuk kanë marrë ndonjë vendim për fillimin e semestrit të dytë fizikisht.
“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe palët e interesuara që deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga instancat përgjegjëse për ndryshim të organizimit të procesit mësimor në UP, në rrethanat e pandemisë Covid-19. Njëherësh, në adresën e UP-së nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët tanë.”, thuhet në sqarimin e UP-së.
Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).
|