schema:text
| - Pretendime të pabazuara për parazitët
Deklarata
Nëse keni papilloma, dijeni: shkaku qëndron brenda organizmit, jo në lëkurë! Thjesht pijeni një filxhan dhe të nesërmen të gjithë parazitët do të largohen, verrukat do të biejnë dhe do të thahen
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë artikulli i shpërndarë me mbishkrimin “Nëse keni papilloma, dijeni: shkaku qëndron brenda organizmit, jo në lëkurë! Thjesht pijeni një filxhan dhe të nesërmen të gjithë parazitët do të largohen, verrukat do të biejnë dhe do të thahen”. Në këtë artikull janë dhënë pretendime të rreme se gjoja papillomat shkaktojnë kancerin, të cilat janë bazuar në mjekë fiktiv. Një mjek rus është prezantuar rrejshëm si mjek nga Kosova dhe Shqipëria. Mjeku nga Rusia Leo Bokeria është prezantuar rrejshëm si infektolog, por në fakt ai është kardiolog. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi ka thënë se papillomat nuk shkaktojnë kancer, por mund të shndërrohen në kancer nën veprimin e faktorëve të jashtëm kancerogjenë, që mund të jenë të ndryshëm.
Artikulli
Më 06.02.2025, faqja në Facebook Brazen fruit 22 (arkiva) ka publikuar një artikull për parazitët dhe pijen që pretendohet se i zhduk ata.
“Nëse keni papilloma, dijeni: shkaku qëndron brenda organizmit, jo në lëkurë! Thjesht pijeni një filxhan dhe të nesërmen të gjithë parazitët do të largohen, verrukat do të biejnë dhe do të thahen.”- thuhet në këtë artikull.
Kur klikon mbi këtë link të dërgon tek uebfaqja healthandbeauthy.life (arkiva), ku është publikuar një artikull i gjatë me titull: “Për shumë njerëz ky dimër do të jetë i fundit në jetë… Leo Bokeria paralajmëroi njerëzit me papiloma për rrezikun vdekjeprurës”.
Artikulli citon Leo Bokerian për të cilin pretendohet se është një nga specialistët më të mirë të sëmundjeve infektive në vend, si dhe autore e metodave unike të pastrimit të organizmit, të cilat përdoren në mbarë botën.
Bazuar në Nenin 8 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë secili profesionist shëndetësor duhet të licensohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Lista e gjithë mjekëve të licensuar dhe të cilët mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në uebfaqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Prandaj, Krypometër ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk është asnjë mjek me emrin Dr. Leo Bokeria, i cili është i licensuar për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë.
Krypometër ka kontrolluar po ashtu edhe te lista e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, nëse Bokeria është i licensuar për ta ushtruar profesionin e mjekut në këtë shtet. Por, në Regjistrin e këtij institucioni nuk është gjetur ndonjë doktor me këtë emër.
Krypometër përmes Google Lens ka verifikuar edhe fotografinë me të cilën është prezantuar ky doktor dhe ka gjetur se kjo fotografi i takon doktorit Leo Antonovich Bokeria, i cili është kardiokirurg. Ai punon në Ministrinë e Shëndetësisë së Rusisë dhe është Shef i Departamentit të Trajtimit Kirurgjik të Patologjisë Ndërvepruese. Në internet nuk ka ndonjë intervistë që Bokeria ka dhënë për parazitë, mirëpo ai flet kryesisht për sëmundjet e zemrës.
Përmes këtij artikulli pretendohet se ky doktor rekomandon një produkt të quajtur Parazol, i cili thuhet se pastron plotësisht organizmin nga të gjitha llojet e parazitëve.
Krypometri ka kërkuar edhe te Lista e produkteve, ilaçeve që kanë Autorizim Marketingu në Kosovë, nëse i njëjti është i lejuar për t’u shitur dhe tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) në Kosovë rezulton se produkti Parazol nuk është në Listën e barërave me Autorizim Marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Tutje, në artikullin e publikuar në faqen Brazen fruit 22 (arkiva) thuhet papilomat mund të shkaktojnë “kancer i lëkurës; kancer i qafës së mitrës; kancer i gjirit; kancer i kanalit anal; kancer i penisit te burrat; si dhe një sërë sëmundjesh të tjera kanceroze.”
Për t’i verifikuar më tej pretendimet e bëra në këtë artikull, Krypometër ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishin, i cili e ka mohuar këtë pretendim.
Ai ka thënë se papillomat nuk shkaktojnë kancer.
“Papillomat nuk shkaktojnë kancer, por mund të shndërrohen në kancer nën veprimin e faktorëve të jashtëm kancerogjen që mund të jenë të ndryshëm.”- ka thënë Kurtishi.
Krypometër ka kontaktuar me Rexhep Morinën, specialist i Dermatologjisë, i cili ka thënë se shkaktari i papillomave është HPV (Human Papilloma Virus) dhe se njihen më shumë se 70 nëntipe të këtij virusi.
Përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në vartësi të nëntipit të këtij virusi.
“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të lythave të njohur si: verrucae vulgaris, genitalis (condylloma), si dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohen me metoda dhe preparate të ndryshme si: kryotherapie (azot i lëngët), termokauter, laser dhe preparate si: TCA, podophyllotoxin, imiquimod etj.”- ka thënë Morina për Krypometër.
|