schema:text
| - Raportimi i rremë për një person të vdekur në lagjen “Dardania”
Deklarata
Dyshohet për një trup të pajetë në parking në lagjen “Dardania” të Prishtinës
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titullin “Dyshohet për një trup të pajetë në parking në lagjen “Dardania” të Prishtinës” është i rremë. Policia e Kosovës ka thënë se në Prishtinë, në lagjen Dardania nuk është gjetur ndonjë trup i vdekur, por bëhet fjalë për xhirimet që janë duke u bërë për një serial e të cilat janë miratuar paraprakisht nga Policia e Kosovës. Krypometër ka qenë në vendin e ngjarjes dhe e ka parë skenën në të cilën janë duke u bërë xhirimet. Musa Ademi, regjisor dhe producent i serialit ka thënë se kanë marrë leje nga Policia e Kosovës për këto xhirime.
Artikulli
Më 05.03.2024 media “DTV” (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Dyshohet për një trup të pajetë në parking në lagjen “Dardania” të Prishtinës”.
Në artikullin e tyre, Periskopi i referohet portalit Klan Kosova.
“Në një fotografi të siguruar nga Klan Kosova shihen disa vetura të policisë në vendin e ngjarjes dhe një trup i pajetë i mbuluar”- thuhet në lajmin e publikuar në Periskopi.
Krypometër ka kontrolluar portalin KlanKosova.tv (arkiva), mirëpo në këtë portal lajmi është edituar duke u shtuar informacioni i marrë nga Policia se nuk bëhet fjalë për person të vdekur. Lajmi është edituar edhe nga disa portale të tjera, të cilat fillimisht kishin raportuar se dyshohet për një person të vdekur në lagjen Dardania në Prishtinë, si: ‘Paparaci.com’ (arkiva), ‘Bota sot’ (arkiva), indeksonline.net (arkiva), “Periskopi” (arkiva) dhe “PrishtinaPress” (arkiva).
Mediat që vazhdojnë të mbajnë të publikuar lajmin me titull: “Dyshohet për një trup të pajetë në parking në lagjen “Dardania” të Prishtinës”, janë:“Metropol Magazine” (arkiva) dhe “Gazeta Metro” (arkiva).
Për të verifikuar informacionin “për një trup të pajetë në parkingun e lagjes Dardania”, Krypometër ka kontaktuar më zëdhënësen e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se nuk ka asnjë trup të pajetë.
Ahmeti ka thënë se janë duke u kryer xhirime për një film, me aprovim të Policisë së Kosovës.
“Është një inskenim për një film, skenari i të cilit është aprovuar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës. Xhirimet po bëhen në rrugën Ilaz Kodra në Prishtinë”- ka thënë Ahmeti.
Krypometër ka shkuar në vendin e ngjarjes, në lagjen Dardania në Prishtinë dhe ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes janë parë parë kamerat dhe mjetet e tjera të nevojshme për xhirime.
Krypometër, në vendin e ngjarjes, ka folur me Musa Ademi, regjisor dhe producent i serialit që po xhirohet, i cili se për këto xhirime kanë marrë leje nga Policia e Kosovës dhe “Prishtina Parking”.
“Ideja e këtij seriali është dramë-aksion. Ky është pilot episodi i parë që jemi duke e xhiru. Për këtë kemi marrë leje prej “Prishtina Parking” dhe prej Policisë. Në të njëjtën kohë e kemi ftu edhe mjekësinë ligjore për shkak të konceptit të serialit”- tha Ademi.
|