schema:text
| - Alzhejmeri është sëmundje e pashërueshme
Deklarata
Vaj I fares se zeze Bio , PURE & FIRST COLD PRESSED! 100% Organik! Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri, cirrozat e melçise, tensioni I larte, reumatizmi, semundjet kardiake etj… Super ushqyes per lekuren dhe floket!
Vlerësimi
Me kos
Konstatimi se “Vaj I fares se zeze! Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri”- nuk është i saktë. Sëmundja e alzhejmerit nuk është e shërueshme. Syzana Aliçkaj Prebreza, Specialiste e Neurologjisë- Qendra Klinike Universitare e Kosovës, thot se deri më tani nuk ka ndonjë terapi që mund të shërojë sëmundjen e alzhejmerit, por ka të tilla që mund të ndihmojnë reduktimin e këtyre simptomave. Prebreza ka thënë se alzhejmeri shkaktohet nga një kombinim i faktorëve genetik, stilit të jetesës dhe mjedisit, të cilat ndikojnë në tru me kalimin e kohës. Ajo ka thënë se vaji i farës së zezë nuk mund të shërojë alzhejmerin, mirëpo mund të ndihmojnë në parandalimin ose reduktimin e rrezikut të sëmundjes së alzhejmerit, pasi ato ndihmojnë në luftimin e faktorëve që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjes si stresi oksidativ, inflamacioni kronik dhe dëmtimi i qelizave nervore.
Artikulli
Më 22.11.2024, postimi në Threads natural.care (arkiva) ka publikuar një artikull rreth shërimit të sëmundjes së alzhejmerit.
Kjo faqe pretendon se kjo sëmundje shërohet me vaj të farës së zezë.
“Vaj I fares se zeze Bio , PURE & FIRST COLD PRESSED! 100% Organik! Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri, cirrozat e melçise, tensioni I larte, reumatizmi, semundjet kardiake etj… Super ushqyes per lekuren dhe floket!”- shkruan në këtë artikull.
Për farën e zezë, të njohur ndryshe si “Nigella sativa”, janë bërë studime të shumta për efektet pozitive në trupin e njeriut. Në faqen e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë në SHBA është publikuar një raport përmbledhës, duke thënë se nevojiten më shumë studime për të parë mundësinë e përdorimit të farës së zezë në prodhimin e ilaçeve të ndryshme.
Përkundër efekteve pozitive, deri më tani, nuk mund të thuhet se të njëjtat mund të përdoren si ilaç i vetëm kundër sëmundjeve.
Për të verifikuar pretendimet se vaji i farës së zezë e trajton sëmundjen e alzhajmerit, Krypometër ka biseduar me Syzana Aliçkaj Prebreza, Specialiste e Neurologjisë- Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Aliçkaj Prebreza ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë terapi që mund të shërojë sëmundjen e alzhejmerit, por ka të tilla që mund të ndihmojnë që të reduktojnë këto simptoma.
“Trajtimi bëhet me inhibitorët e acetylcholinesterases- Donepezil. Këto ilaçe rritin nivelin e acetilkolinës, një substancë në tru e cila ndihmon qelizat nervore të komunikojnë me njëra- tjetrën. Memantine funksionon duke bllokuar efektet e një sasie të tepërt të një kimikati në tru, të quajtur ‘glutamat’.”- ka thënë Prebeza.
Neurologia Syzana Aliçkaj Prebreza ka shpjeguar se sëmundja e alzhejmerit është një sëmundje neurodegjenerative, që zakonisht fillon ngadalë dhe në mënyrë progresive përkeqësohet. Është shkaku i 60- 70% të rasteve të demencës.
Simptoma më e zakonshme dhe më e hershme është vështirësia për të kujtuar ngjarjet e fundit, e cila shpesh i atribuohet gabimisht plakjes ose stresit.
“Testimi i detajuar neuropsikologjik mund të zbulojë vështirësi të lehta njohëse deri në tetë vjet përpara se një person të përmbushë kriteret klinike për diagnostifikimin e sëmundjes së alzhejmerit.”- ka thënë ajo.
Deficiti më i dukshëm është humbja e kujtesës afatshkurtër, e cila shfaqet si vështirësi në kujtimin e fakteve të mësuara së fundmi dhe pamundësi për të marrë informacion të ri.
“Të gjithë kanë probleme me kujtesën nganjëherë, por humbja e kujtesës, që lidhet me sëmundjen e alzhejmerit, është e qëndrueshme.”- ka shpjeguar ajo.
Tutje, Aliçkaj Prebreza ka shpjeguar simptomat e tjera që zhvillohen në mënyrë graduale dhe që ia vështirësojnë jetën e përditshme një personi.
“Me kalimin e kohës, humbja e kujtesës ndikon në aftësinë për të funksionuar në punë dhe në shtëpi. Njerëzit me sëmundjen e alzhejmerit mund të përsëritin deklaratat dhe pyetjet pa pushim, harrojnë bisedat, takimet ose ngjarjet, harrojnë emrat e anëtarëve të familjes dhe sendet e përditshme. Kanë vështirësi në gjetjen e fjalëve të duhura, shprehjen e mendimeve ose bisedat.”- ka thënë Aliçkaj Prebreza, duke shtuar se shkaktohet nga një kombinim i faktorëve gjenetik.
Alzhejmeri, sipas saj, shkaktohet nga një kombinim i faktorëve genetik, stilit të jetesës dhe mjedisit, që ndikojnë në tru me kalimin e kohës.
“Në më pak se 1% të njerëzve, alzhejmeri shkaktohet nga ndryshime specifike gjenetike që pothuajse garanton se një person do të zhvillojë sëmundjen. Për njerëzit e këtij grupi, sëmundja zakonisht fillon në moshën e mesme. Shkaku i sëmundjes së alzhejmerit është fokusuar në dy proteina: beta amiloidi e tau.”- ka shtuar Aliçkaj Prebreza.
Alzhejmeri është sëmundje e pashërueshme, por, sipas Aliçkaj Prebreza, disa produkte produkte bimore mund të ndihmojnë në parandalimin ose reduktimin e rrezikut të sëmundjes së alzhejmerit, falë përmbajtjes së tyre të pasur me antioksidantë, komponime anti-inflamatore dhe substanca që mbështesin shëndetin e trurit.
Këto substanca ndihmojnë në luftimin e faktorëve që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjes, si stresi oksidativ, inflamacioni kronik dhe dëmtimi i qelizave nervore.
“Disa nga produktet bimore që kanë treguar efekte premtuese janë: vaji i farës së zezë ”Nigella sativa”. Kjo farë përmban timokinon, një antioksidant e agjent anti- inflamator, që ndihmon në mbrojtjen e qelizave të trurit. Antioksidantet mbrojnë qelizat nga dëmtimet që shkakton stresi oksidativ. Studimet sugjerojnë përmirësim të kujtesës dhe funksioneve njohëse. Dieta mesdhetare, e cila përfshin shumë nga përbërësit sivaj ulliri, perime, fruta, erëza… është treguar efektive në uljen e rrezikut të alzhejmerit. Produkte bimore duhet të përdoren si pjesë e një stili të shëndetshëm jetese, duke përfshirë aktivitetin fizik dhe stimulimin mendor.”- ka shtuar tutje ajo.
|