schema:text
| - Informacioni i rremë se NATO ka pushtuar Kosovën
Deklarata
Nato ka pushtu edhe Kosoven
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Nato ka pushtu edhe Kosoven” është i rremë. NATO nuk është forcë pushtuese në Kosovë. NATO e ka sulmuar Jugosllavinë në mënyrë që të ndalë vrasjet dhe debimin e qytetarëve nga Kosova. NATO është vendosur në Kosovë bazuar në mandatin e dhënë në Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Marrëveshja Teknike Ushtarake të arritur në mes të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe NATO-së.
Artikulli
Më 20 janar 2024, faqja e Facebook-ut ‘The Osmanlit’ (arkiva), ka publikuar një video në të cilën shihen disa ushtarë të cilët mbajnë flamurin e Rusisë.
Kjo video është shpërndarë me mbishkrimin “Regrutimi i luanave të umetit islam nga Çeçenia në luftë kundër NATO-së në Ukrainë, përveç pushtimit të Ukraines, Nato ka pushtu edhe Kosoven! Ju urojmë fitore dhe çlirim sa më të shpejte nga Nato në Ukraine dhe Kosove”.
Krypometër ka vendosur të verifikojë konstatimin “Nato ka pushtu edhe Kosoven! Ju urojmë fitore dhe çlirim sa më të shpejte nga Nato në Ukraine dhe Kosove”.
Krypometër ka dërguar pyetje në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO.
Në një përgjigje me shkrim nga Selia Qendrore e NATO është thënë se mandati i NATO-së në Kosovë caktohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
“KFOR-i ka qenë në Kosovë për më shumë se dy dekada, nën një mandat të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes. Kjo është ajo që vazhdon të bëjë edhe sot e kësaj dite, duke kontribuar në krijimin e kushteve për siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitet rajonal”- ka deklaruar Selia Qendrore e NATO.
Në rezolutën 1244 thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre.
NATO ka udhëhequr një operacion për mbështetjen e paqes në Kosovë që nga qershori 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në zonë.
Pas sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999 kundër Jugosllavisë, është arritur Marrëveshja Teknike Ushtarake që ndryshe njihet si marrëveshja e Kumanovës. Marrëveshja është nënshkruar në mes të NATO-së dhe Qeverive të Jugosllavisë dhe Serbisë.
Marrëveshja ndër të tjera parashihte që Serbia të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova dhe vendosja e forcave paqëruajtëse të NATO-s (KFOR).
“Prania Ndërkombëtare Ushtarake” është rregulluar në nenin 153 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007”- thuhet në pikën e parë të nenin 153 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
KFOR-i është themeluar kur përfundoi fushata ajrore 78-ditore e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit.
Me kalimin e kohës, me përmirësimin e situatës së sigurisë, NATO-ja ka përshtatur gradualisht pozicionin e forcës së KFOR-it drejt një force më të vogël dhe më fleksibël me më pak detyra statike.
KFOR-i po ashtu është duke bashkëpunuar dhe koordinuar me Kombet e Bashkuara (OKB), Bashkimin Evropian (BE) dhe aktorë të tjerë ndërkombëtar për të mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore.
Më 12 qershor 2008, NATO ra dakord të fillojë zbatimin e detyrave shtesë në Kosovë në koordinim me autoritetet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare. KFOR ndihmoi në transformimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe në themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe një strukturë civile për të mbikëqyrur FSK-në.
NATO mbikëqyri ngritjen dhe trajnimin e një FSK-je multietnike, profesionale dhe të kontrolluar nga civilët.
Ajo ka përgjegjësinë kryesore për detyrat e sigurisë që nuk janë të përshtatshme për policinë si reagimi ndaj emergjencave, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, menaxhimi i materialit të rrezikshëm, shuarja e zjarrit dhe mbrojtja civile.
|