schema:text
| - Rrena se nga shtatori ka filluar rimbursimi i faturave të energjisë elektrike
Deklarata
A ofrojnë kompanitë e e-commerce subvencione të faturave të energjisë elektrike për personat mbi 50 vjeç
Vlerësimi
Me kos
Postimi “A ofrojnë kompanitë e e-commerce subvencione të faturave të energjisë elektrike për personat mbi 50 vjeç” është i rremë. Qeveria e Kosovës nuk ka hapur thirrje për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për personat që janë mbi 50 vjeç. Kryetari i bordit të ZRRE-së ka thënë se nuk ka ndonjë program të tillë për subvencionim të faturave të energjisë që i përfshinë të gjithë qytetarët mbi 50 vjeç. Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës do t’ia paguajë faturat e energjisë deri në 50 euro në muaj familjeve që i kanë më pak se 150 euro të hyra në muaj për anëtar dhe që kanë në pronësi më pak se 100 mijë euro paluajtshmëri. Për këtë thirrje, qytetarët mund të aplikojnë vetëm në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës “E-Kosova”.
Artikulli
Më 26.10.2024 faqja në Facebook ‘Services-Center’ (arkiva) ka publikuar një artikull për rimbursim të faturave të energjisë elektrike.
“🔥🔥🔥A ofrojnë kompanitë e e-commerce subvencione të faturave të energjisë elektrike për personat mbi 50 vjeç? 👇👇👇”- shkruan në titull të artikullit.
Tutje thuhet se rimbursimi i faturave të energjisë do të bëhet duke filluar prej faturës së muajit shtator të vitit 2023.
“A ju është rimbursuar fatura e energjisë elektrike? Nga shtatori 2024, furnizuesit e energjisë elektrike do të fillojnë të planifikojnë faturat e energjisë elektrike. Ndoshta nuk duhet të paguani faturën e energjisë elektrike? Kontrolloni nëse jeni në listën e rimbursimit? Shiko shumën. Shiko Listën”- shkruan në infografikën e publikuar.
Kur klikon mbi këtë infografikë të dërgon tek faqja e internetit ‘the-electricians.life’ (arkiva), e cila ka të publikuar disa opsione në gjuhen angleze, por që nuk ka të bëjë asgjë me postimin e faqes në Facebook ‘Services-Center’ (arkiva).
I njëjti lajm është shpërndarë edhe në dy faqe të tjera në Facebook (arkiva 1, arkiva 2).
Krypometër ka kontrolluar nëse është publikuar një thirrje e tillë për subvencionim të energjisë nga institucionet e Kosovës, apo për rimbursim të faturave të paguara të energjisë elektrike, por nuk është gjetur ndonjë thirrje e ngjashme e publikuar në shtator të vitit 2024.
Në faqen e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Ministrisë së Ekonomisë nuk ekziston asnjë njoftim për rimbursim të faturave të energjisë elektrike. As në faqen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) apo Furnizuesit me Energji Elektrike (KESCO) nuk është publikuar asnjë njoftim për subvencinim të energjisë elektrike.
Krypometër ka gjetur se një thirrje për subvencionim të energjisë ishte publikuar në fillim të vitit 2024, mirëpo ajo ishte vetëm për familjet e cenueshme.
Krypometër ka gjetur një thirrje të publikuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili thot se një pjesë e qytetarëve kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.
Programi për Konsumatorët e Cënueshëm mbështetet financiarisht nga Bashkimi Europian dhe vitin e kaluar kishin përfituar 61 mijë familje. Krypometër ka gjetur se në këtë thirrje nuk kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mirëpo vetëm familjet që kanë të hyra më pak se 150 euro në muaj për anëtar dhe që kanë në pronësi më pak se 100,000 euro vlerë të palujtshmërive.
Murati ka thënë se për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri në mars 2025.
“Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj”- thuhet në postimin e ministrit Murati.
Në këtë postim është thënë se aplikimi për këtë program mund të bëhet vetëm në faqen zyrtare dhe askund nuk ka përmendur faqen ‘Services-Center’ apo ‘the-electricians.life’.
“Aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit”- thuhet në postimin e ministrit Murati.
Krypometri ka biseduar edhe me kryetarin e bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
“Postimi është i rremë pasi nuk ka një vendim të tillë për rimbursim të faturave të energjisë për të gjithë qytetarët”- ka thënë Fejzullahu.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Ekonomisë. Ata kanë thënë se postimi është i rremë dhe rrena të tilla kanë hasur edhe gjatë javëve të kaluara duke i detyruar ata të bëjnë reagime në Facebook në mënyrë që mos të mashtrohen qytetarët.
Krypometër ka gjetur se më 07.06.2024, Ministria e Ekonomisë kishte publikuar një reagim për postimet lidhur me thirrjet për falje të borxheve dhe rimbursim.
“Ministria e Ekonomisë (ME) ju njofton se të gjitha shpalljet, njoftimet dhe informacionet për dhe rreth Ministrisë së Ekonomisë, qytetarët mund t’i gjejnë vetëm në rrjetet sociale të ME-së: ueb-faqe, Facebook, Tëitter dhe Youtube dhe në mediat/ portale të cilat operojnë në Kosovë. Çdo informacion jashtë kanaleve të lartcekura, nuk janë reale”- u theksua në reagimin e Ministrisë.
|