schema:text
| - Rrena se në Kosovë nga nëntori të gjithë qytetarët mund të aplikojnë për banim
Deklarata
Nga nëntori i vitit 2024, të gjithë do të mund të aplikojnë për banim në Kosovë. Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar
Vlerësimi
Rrenë
Postimi se “Nga nëntori i vitit 2024, të gjithë do të mund të aplikojnë për banim në Kosovë. Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- është i rremë. Postimi është publikuar së bashku me stemën e Republikës së Kosovës, mirëpo asnjë prej institucioneve të Kosovës nuk e ka publikuar një njoftim të tillë. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Qeveria nuk ka publikuar ndonjë thirrje të tillë. Komunat ofrojnë përkrahje për banim vetëm për raste specifike të familjeve në nevojë. Institucionet e Kosovës nuk kanë hapur ndonjë thirrje të tillë për ofrimin e banimit pa pagesë për të gjithë qytetarët.
Artikulli
Më 30.10.2024 faqja në Facebook ‘Sanjida Nasrin-01’ (arkiva) ka publikuar një artikull përmes të cilit pretendohet se është hapur një mundësi që secili qytetar i Kosovës të aplikojë për të siguruar një banim falas në Kosovë.
“Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
Njoftimi ishte publikuar së bashku me stemën e Republikës së Kosovës, duke pretenduar se njoftimi po bëhet nga institucionet shtetërore të Kosovës.
“Lajmet e fundit, nga nëntori i vitit 2024, të gjithë do të mund të aplikojnë për banim në Kosovë. Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- shkruan në infografikën e publikuar. Tutje në infrografikë është thënë se qytetarët mund të zgjedhin se sa dhoma u duhen për banim.
Kur klikon linkun e bashkëngjitur me mbishkrimin “Aplikoni për strehim aty pranë”- të dërgon te faqja e internetit foreclosedhome01.today, në të cilën është dhënë mundësia për të klikuar mbi disa opsione, por asnjëra prej tyre nuk mundëson për të aplikuar për një vendbanim pa pagesë në Kosovë.
Krypometri e ka kontrolluar faqen foreclosedhome01.today në Whois.com dhe rezulton se ky domen është regjistruar më 23.10.2024, apo vetëm një javë para se të bëhet postimi në Facebook.
Për të verifikuar këtë njoftim, Krypometri ka kontaktuar zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka thënë për Krypometër se Qeveria e Kosovës, as institucionet e tjera, nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.
“I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e dezinformatave e mashtrimeve, dhe t’i përcjellin njoftimet nga faqet zyrtare të institucioneve të vendit”- ka thënë Kryeziu.
Lëvizja Vetëvendosje më 05.02.2021 në emisionin “Debat Përnime” kishte premtuar se do të ndërtojnë 4 mijë banesa, të cilat do t’u ofrohen me çmime të përballueshme çifteve të reja. Ky premtim ishte futur edhe në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, megjithatë ende nuk është jetësuar.
Komunat e caktuara të Kosovës ofrojnë banime sociale vetëm për familjet në nevojë apo raste të caktuara sociale. Komuna e Obiliqit ka ndarë disa banesa sociale për veteranë dhe invalidë nga kjo komunë. Megjithëkëtë, veteranë dhe invalidë të UÇK-së ishin ankuar për ndarjen e këtyre banesave.
Më 05.04.2017 Komuna e Prishtinës kishte përfunduar ndërtimin e 100 banesave të cilat u janë ndarë 50 përfituesve të banimit social apo për shkak të gjendjes sociale dhe mungesës së strehimit që kanë, ndërsa 50 banesat e tjera ishte thënë se do të ndahen për kategoritë e dala nga lufta.
Qeveria e Kosovës siguron vendbanim edhe për azilkërkuesit, të cilët janë vendosur në një zonë të caktuar. Personat që kërkojnë azil në Kosovë qëndrojnë në Qendrën për Azil në fshatin Magurë të komunës së Lipjanit.
Neni 31 për kushtet për hyrjen e të huajit në Republikën e Kosovës i Ligjit për të huajt thot se “I huaji mund të lejohet të hyjë në Republikën e Kosovës për qëndrimet që nuk i kalojnë tre (3) muaj”. Janë disa parakushte që i vendos Ligji në mënyrë që një të huaji t’i vazhdohet lejeqëndrimi në Kosovë”.
|