Video e rremë për deklaratën e Leonardo DiCaprios për Albin Kurtin
Deklarata
“Vjen përkrahja për Kurtin, nëse do egzistonte një Oscar për rrena me siguri do merrte Albin Kurti”
Vlerësimi
Rrenë
Video në të cilën shihet duke folur aktori, Leonardo DiCaprio me mbishkrimin ‘Vjen përkrahja për Kurtin, nëse do egzistonte një Oscar për rrena me siguri do merrte Albin Kurti’ është e ndryshuar. DiCaprio nuk ka folur asnjëherë për kryeministrin Albin Kurti. DiCaprio me rastin e pranimit të çmimit Oscar, ka folur për realizimin e filmit Revenant dhe për rrezikun nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale.
Artikulli
Më 7 prill 2023, faqja në Facebook me emrin “Drenica Graphic” ka publikuar një video në të cilën shihet aktori i famshëm amerikan, Leonardo DiCaprio.
Në video është i vendosur mbishkrimi ‘Vjen përkrahja për Kurtin, nëse do egzistonte një Oscar për rrena me siguri do merrte Albin Kurti’.
Gjithashtu në video dëgjohet një zë duke thënë ‘Nëse do të ekzistonte një Oscar i rremë me siguri do ta merrte Albin Kurti. Faleminderit’, duke pretenduar se këtë e thotë Leonardo DiCaprio.
Por në fakt video është e montuar me figurën e aktorit DiCaprio i cili flet në një ceremoni të çmimeve Oscar. Ai asnjëherë nuk ka folur për Albin Kurtin e aq më pak për ndonjë ‘Oscar të rremë’.
DiCaprio me rastin e pranimit të çmimit Oscar, ka folur për realizimin e filmit Revenant dhe për rrezikun nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale.