schema:text
| - Konkurs i rremë për punë duke keqpërdorur llogon e DHL
Deklarata
Punët e pirunëve në 2024 do të kenë një rritje të ndjeshme të pagave! Tani duke rekrutuar 30 shoferë të pirunit! ✅Paga e lartë✅Trajnim me pagesë✅Pa limit moshe
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Punët e pirunëve në 2024 do të kenë një rritje të ndjeshme të pagave! Tani duke rekrutuar 30 shoferë të pirunit! ✅Paga e lartë✅Trajnim me pagesë✅Pa limit moshe”- është i rreme. Linku i publikuar së bashku me këtë postim në Facebook të dërgon tek një faqe e internetit në të cilën nuk ka asnjë informacion bazik për konkursin që paralajmërohet në postim. Nuk është dhënë adresa e punëdhënësit, numri kontaktues apo forma e aplikimit. Në faqen zyrtare të DHL-së nuk ka asnjë konkurs aktiv për vendet e rajonit. Dega e DHL-së në Kosovë ka thënë se ky lajm nuk ka asnjë lidhje me DHL Kosova ose 3P shpk.
Artikulli
Më 31.07.2024 faqja në Facebook “Next Step Careers” (arkiva), ka publikuar një artikull për konkurs pune.
“Punët e pirunëve në 2024 do të kenë një rritje të ndjeshme të pagave! Tani duke rekrutuar 30 shoferë të pirunit! ✅Paga e lartë✅Trajnim me pagesë✅Pa limit moshe”- shkruan në këtë postim.
Së bashku me ketë njoftim është publikuar edhe një fotografi e depos me llogon e Deutsche Post AG (DHL), kompani postare e Gjermanisë.
Kur klikon mbi njoftim të dërgon tek faqja ‘temporarywork.today’ (arkiva), që s’ka të bëjë fare me informacionet e dhëna në faqen në Facebook, pra s’ka asnjë formë aplikimi apo të dhëne rreth aplikimit për punë.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër fillimisht ka kontrolluar nëse ‘temporarywork.today’ (arkiva) është faqe zyrtare e DHL-së. Të dhëna në Whois.com thonë se e njëjta nuk është në pronësi të kompanisë postare DHL të Gjermanisë, por pronari i saj është sekret dhe e njëjta është regjistruar për herë të parë në vitin 2023.
Tutje, Krypometër e ka gjetur faqen zyrtare të DHL-së dhe aty është një seksion i veçantë për konkurset që kjo korporatë i ka aktive. Në faqen zyrtare të DHL-së është publikuar një hartë që tregon të gjitha pikat e DHL-së në botë që kanë konkurse aktive dhe aty tregon edhe numrin e vendeve të lira të punës. Në këtë hartë nuk është asnjë vend i lirë i punës i hapur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut apo Mal të Zi.
Tutje, Krypometër ka kontrolluar në Facebook në profilin e DHL Kosova, në të cilin nuk ka asnjë konkurs për punë të këtij lloji.
Krypometri për ta verifikuar edhe më tej këtë ka kontaktuar me përfaqësues të DHL-së në Kosovë.
Në një përgjigje për Krypometër, përfaqësuesit e DHL-së në Kosovë kanë thënë se ky lajm nuk është publikuar nga ta. Ata kanë thënë se mund të përgjigjen vetëm për Kosovë, pasi nëpër botë mund të ketë konkurse aktive të tjera.
“Për këtë arsye nuk është i vlefshëm për DHL EXPRESS KOSOVË, duke qenë se ne (3P SHPK) jemi agjentet e vetëm të autorizuar për KOSOVË… Mund të konfirmojmë se ky lajm nuk ka asnjë lidhje me DHL Kosova ose 3P shpk”- thuhet në përgjigjen e datës 06.08.2024.
Në informacionet publike në profilin e DHL Kosova është publikuar edhe ueb-faqja e DHL-së në të cilën është opsioni për të zgjedhur lokacionin e caktuar apo edhe shtetet në të cilat operon kjo kompani, në mesin e të cilave operon edhe Kosova.
|