schema:text
| - Kosova nuk do të sanksionohet nga BE-ja për shkak të ndaljes së djalit të Presidentit të Serbisë nga Policia e Kosovës
Deklarata
Policia zhvesh Danilon, priten sanksionet nga BE per Kosoven
Vlerësimi
Me kos
Përshkrimi “Policia zhvesh Danilon, priten sanksionet nga BE per Kosoven” është i rremë. Bashkimi Europian nuk ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës për shkak se Policia e Kosovës e ka ndaluar Danilo Vuçiq, djalin e Presidentit të Serbisë. BE-ja ka paralajmëruar një sër masash ndaj Kosovës për shkak se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat që i janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Artikulli
Më 28 qershor 2023, faqja e Facebook-ut “Don’t you 20% me”, ka publikuar një fotografi duke i bashkëngjitur përshkrimin “Policia zhvesh Danilon, priten sanksionet nga BE per Kosoven”.
E njëjta është shpërndarë në një faqe tjetër “Molos”.
Fotografia mban një mbishkrim “Policia e Kosovës ndalon djalin e Vuçiqit, ia heq bluzën me mesazhe provokuese”- mirëpo në përshkrim pretendohet se si rezultat i kësaj, priten sanksione nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.
Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman ka thënë se disa prej masave ndaj Kosovws do tw jenw: pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë njoftoi se Komisioni Evropian dje para Parlamentit Evropian ka prezantuar një listë të masave kundër Kosovës.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. BE te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate, Kosova të tillë e ka qeverinë, popullin. Në raste kemi qenë kritikë nga Bashkimi Evropian por as cinikë as të hidhëruar. Nuk jemi as sot”- ka deklaruar Kurti.
Për këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot në një konferencë për media tha se hyrja djalit të presidentit serb Aleksander Vuçiq, në Kosovë, ka qenë si qytetar i rëndomtë dhe kësisoji tha se nuk aplikohen procedura të veçanta.
Sveçla tha se Policia e Kosovës e ka kontrolluar vetëm një herë dhe se i është larguar bluza e cila mbante një mbishkrim “anti-Kosovë”.
“Ai [Danilo Vuçiq] ka hy si qytetar i rëndomtë. Për hyrje të qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Policia e Kosovës kanë marrë vendim të ndalin dhe të kontrollojnë veturat që janë sjellë në mënyrë të çuditshme dhe atij i është larguar bluza… me kaq e gjitha ka përfunduar dhe ata janë larguar në Serbi. Vuçiq ka qenë ministër i propagandës dhe se është gënjeshtar kronik po na dëshmon çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalë tri herë, është ndalë një herë”- ka thënë Sveçla.
Policia e Kosovës e ka ndalur të mërkurën djalin e presidentit të Serbisë, Aleksadër Vuçiq, Danilo Vuçiq, i cili mori pjesë në festën e “Vidovdanit” e cila u mbajt në Graçanicë.
Pas përfundimit të ceremonisë, Policia e Kosovës ka ndalur veturën ku ishte djali i presidentit të Serbisë dhe ia ka larguar bluzën e cila mbante mbishkrime anti-Kosovë.
|