schema:text
| - Isa Mustafa e Avdullah Hoti nuk i kanë vjedhur 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës
Deklarata
“Vidhet thesari kosoven nga hoti dhe isa 2 milion ero ne ministrine e financave”
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia me mbishkrimin: “Vidhet thesari kosoven nga hoti dhe isa 2 milion ero ne ministrine e financave” është e rreme. Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti që shihen në fotografi nuk janë personat që e kanë vjedhur Thesarin e shtetit. Gjykata Themelore e Prishtinës i ka denuar dy persona të tjerë (Labinot Gruda dhe Kadri Shala) për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari. Ky proces gjyqësor ende nuk e ka marrë formën e prerë.
Artikulli
Më 4 maj 2023, faqja në Facebook me emër “Dardan Hoti”, ka publikuar një fotografi të ish-kryeministrave, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti.
Në këtë fotografi shkruan “Vidhet thesari kosoven nga hoti dhe isa 2 milion ero ne ministrine e financave”.
Por, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti nuk janë të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit të Kosovës.
Në kohën e vjedhjes së parave nga Thesari në krye të Ministrisë së Financave ishte Hykmete Bajrami në qeverinë që udhëhiqej nga Avdullah Hoti.
Ndërsa, për rastin e vjedhjes nuk janë akuzuar ish-ministrja Bajrami apo ish-kryeministri Hoti.
Dy persona, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë për aferën e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Gjykata Themelore e dënoi Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8,500 euro. Po ashtu i shqiptoi dënimin plotësues me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik.
Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro. Gjykata në shpallje të vendimit kishte njoftuar se e tërë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme është konfiskuar.
Gruda dhe Shala janë ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila ende nuk ka marrë vendim rreth pretendimeve të tyre.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.
|