schema:text
| - Informacioni i pasaktë se Ura e Ibrit ka qenë e mbyllur për këmbësorë tash e 25 vjet
Deklarata
“Pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë! Qytetarët qarkullojnë lirshëm në të dy anët e qytetit pas 25 vitesh ‘si mollë e ndaluar”
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Përshkrimi i fotografisë: “Pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë! Qytetarët qarkullojnë lirshëm në të dy anët e qytetit pas 25 vitesh ‘si mollë e ndaluar”- nuk është i saktë. Pamjet e paraqitura në fotografi tregojnë lëvizjen e qytetarëve tek ura në Mitrovicë, mirëpo kjo lëvizje e lirë nuk është pas 25 vitesh. Ura e Ibrit ka qenë e hapur për kombësorë tash e një kohë të gjatë, mirëpo ajo vazhdon të jetë e mbyllur për vetura. Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri, të Policisë së Kosovës, Veton Elshani. Se ura ka qenë e hapur tregojnë edhe raportimet e mediave në të kaluarën për organizim të ‘Festivalit të kafesë’.
Artikulli
Më 04.09.2024 faqja në Facebook ‘Struga Ekspres’ (arkiva) ka publikuar një video (arkiva) në të cilën shihen qytetarë duke kaluar në këmbë Urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në postim është shkruar: “Pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë! Qytetarët qarkullojnë lirshëm në të dy anët e qytetit pas 25 vitesh ‘si mollë e ndaluar”!.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër fillimisht ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri, të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Elshani ka thënë për Krypometër se Ura mbi Lumin Ibër nuk ka qenë e mbyllur për këmbësorë.
Në të kaluarën, Elshani kishte folur për përgatitjet që i kanë bërë për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve.
Në një takim mes zyrtarëve shtetërorë dhe Policisë së Kosovës me qytetarët serbë dhe shqiptarë të asaj ane, Elshani pati deklaruar se nuk ka arsye sigurie pse duhet të jetë e mbyllur ura mbi lumin Ibër.
“Ne e pyesim veten se pse kjo urë është e mbyllur. Nuk ka arsye sigurie pse duhet të jetë e mbyllur. Shpeshherë po e pyes veten se pse kjo urë është e mbyllur. Është mirë nga ju me dëgju se pse kjo urë duhet me mbet e mbyllun, sepse nga aspekti i sigurisë nuk ka ndonjë arsye.”- tha Elshani.
Ai kishte theksuar se nëse është për çështje të sigurisë, “kishim gjetur metoda, forma që ta sigurojmë në forma të ndryshme”.
“Mirëpo duke parë konstruktin praktik të urës, rrugës, të vendit, sheshit “Car Llazar”, të rrugëve anësore, ne nuk jemi t`u e ditë se pse duhet me qëndru e mbyllun.”- shtoi ai.
Krypometër më pas ka kërkuar lajme të publikuara rreth hapjes së urës dhe qarkullimit të kombësorëve në atë zonë.
KALLXO.com pati raportuar në vitin 2022 për “Festivalin e Kafesë”, i cili u mbajt për herë të parë atë vit, në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Qytetetarë të shumtë ishin mbledhur për t’u shërbyer me kafe, organizim ky që kishte për qëllim nxitjen e fqinjësisë së mirë mes komuniteteve në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Ky organizim ishte bërë nga nga Community Building Mitrovica (CBM) e mbështetur nga USAID dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës Mitrovicës së Jugut.
Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe. Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Ndërkaq në vitin 2011 serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.
Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës. Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Europian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milionë euro.
Më 31.05.2024, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave. Në prill të vitit 2023, në Kuvendin i Komunës së Mitrovicës së Veriut është marrë vendimi për hapjen e kësaj ure. Por, ky vendim nuk është zbatuar ende.
Debati për hapjen e urës
Më 08.08.2024 mbi Urën e Ibrit janë bërë testimet me kalimin e mauneve për të bërë vlerësimin e qëndrueshmërisë së saj, rezultatet e së cilit raport nuk janë bërë të ditura ende për publikun.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 14.08.2024 në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se i ka mirëpritur vlerësimet preliminare të qendrueshmërisë së urës, rezultate të cilat ai tha se i ka ndarë edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.
“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi”- ishte deklaruar Kurti.
Më 28.08.2024, Kurti deklaroi se ende janë në pritje të raportit final për urën.
Ndërkaq në një komunikatë për media në të cilën nuk ishte përmendur takimi me Kurtin, më 13.08.2024, KFOR-i pati rikonfirmuar qëndrimin se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.
KFOR thotë se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.
Kurse, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, ka thënë se rihapja e urës për qarkullim të veturave është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.
Meqë rast, BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendet e QUINT dhe NATO nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
|