schema:text
| - Teoria konspirative për ‘10 ditët e errësirës’ në SHBA
Deklarata
Në fund të muajit apo në fillim të nentorit do të fillojnë 10 ditët e errësirës që ne e kemi parashikuar, do të zhduket interneti, do të mbyllen të gjitha televizionet e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ketë një errësirë totale
Vlerësimi
Rrenë
Janë të rreme konstatimet e shpërndara në Facebook se “në fund të muajit apo në fillim të nentorit do të fillojnë 10 ditët e errësirës që ne e kemi parashikuar, do të zhduket interneti, do të mbyllen të gjitha televizionet e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ketë një errësirë totale”. Në fillim të muajit Nëntor 2024, nuk kanë ndodhur 10 ditët e errrësirës siç është pretenduar në këtë postim, në Facebook, të publikuar më 14.10.2024. Krypometër ka gjetur se video ishte shkëputur nga një emision i publikuar në vitin 2022. Mirëpo as në vitin 2022 nuk kishte errësirë siç pretendohet në këtë video. Teori të ngjashme janë vlerësuar si të rreme dhe konsipirative, nga verifikues të ndryshëm të fakteve nëpër botë.
Artikulli
Më 14.10.2024, faqja e Facebook-ut Press Kosova (arkiva & arkiva) ka publikuar një deklaratë të Alfred Cakos, i cili pretendon se “në fund të muajit apo në fillim të nentorit do të fillojnë 10 ditët e errësirës që ne e kemi parashikuar, do të zhduket interneti, do të mbyllen të gjitha televizionet e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ketë një errësirë totale”.
Cako pretendon se për 10 ditë do të zhduket interneti në të gjithë botën. Video mban përshkrimin “ne fillim te nëntorit do ket nje katastrof/ 10 ditet e ersires”.
Faqja e Facebook-ut këtë teori konspirative e ka lidhur me zgjedhjet që do të zhvilloheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se kjo deklaratë e Cakos është shkëputur nga emisioni “Rrethi Katror”, që transmetohet në Top Channel. Mirëpo, ky emision është realizuar më 09.10.2022.
Këto zgjedhje i ka fituar Donald Trump. Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë. Republikani 78-vjeçar Trump, ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral- aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.
Trumpi e kishte shpallur fitoren duke paralajmëruar lidership të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Donald Trump ka qenë president i SHBA-së, nga viti 2017 deri më 2021.
Pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dhjetë ditët e para të Nëntorit 2024 nuk janë përballur me “10 ditë të errësirës”, mungesë të internetit apo mbyllje të televizioneve. Edhe në faqen zyrtare të NASA-së nuk është dhënë asnjë njoftim ‘për 10 ditët e errësirës’.
As në vitin 2022, nuk është gjetur ndonjë informacion i publikuar në mediat botërore se SHBA apo vendet e tjera ishin në errësirë totale për 10 ditë.
Krypometër ka gjetur se teori të ngjashme ishin publikuar edhe në vitin 2020 dhe Politifact i kishte vlerësuar këto teori si të rreme. Njëjtë janë vlerësuar si teori të ngjashme edhe nga snopes.com, checkyourfact.com.
|