schema:text
| - Rrena se një ushtar i FSK-së u plagos nga një mjet shpërthyes në Gjakovë
Deklarata
Detaje të reja, ky është ushtari që është plagosur nga një mjet shpërthyes në Gjakovë
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Në artikullin me titull “Detaje të reja, ky është ushtari që është plagosur nga një mjet shpërthyes në Gjakovë” janë disa informacione të rreme. Personi i plagosur nga një mjet shërpthyer nuk është ushtar i FSK-së dhe i njëjti nuk ka qenë pjesë e FSK Plagosja ka ndodhur në një poligon të FSK-së. Personi i plagosur ka publikuar disa fotografi së bashku me ushtarë të FSK-së, mirëpo ato janë realizuar gjatë “Ditëve të Hapura” gjatë të cilave qytetarëve ju lejohen vizitat në kazermat e FSK-së.
Artikulli
Më 25.05.2024, portali “Indeksonline.net” ka publikuar artikullin me titull “Detaje të reja, ky është ushtari që është plagosur nga një mjet shpërthyes në Gjakovë” (arkiva). Në artikull është publikuar edhe fotografia e personit që ata pretendojnë që është plagosur, i cili ndodhet në mes dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky artikull është publikuar edhe në faqet tjera në Facebook, si: “Gazeta Prishtina” (arkiva), “raporto24.com” (arkiva) dhe ‘zeri.info’ (arkiva).
Këto faqe e kanë publikuar emrin e të plagosurit, për të cilin pretendojnë se është i moshës 34-vjeçare, ushtar i FSK-së dhe se dyshohet të jetë plagosur nga një predhë gjatë ushtrimeve fushore.
Krypometër e ka kontrolluar profilin e personit që pretendohet se është ushtar i FSK-së dhe ka gjetur se i njëjti ka publikuar disa fotografi (arkiva) që janë realizuar në një nga kazermat e FSK-së. Këto fotografi janë realizuar më 27.11.2023, gjatë kohës kur FSK organizon ‘Ditën e Hapur’ duke iu mundësuar të gjith qytetarëve t’i vizitojnë kazermat dhe të shohin nga afër potencialin e Ushtrisë së Kosovës.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vëllazërim Qerimi, i cili tha se raportimi është i rremë pasi përsoni i plagosur nuk është ushtar i FSK-së.
“Asnjëra nuk është e vërtetë, as nuk është pjesëtar i FSK-së, as nuk është plagosë gjatë ushtrimeve fushore. Janë dezinformata. Rasti ka ndodhë atje te Babaj i Bokës, në poligonet tona ushtarake, por jo pjesëtar i FSK-së” – është përgjigjur Qerimi.
Qerimi ka treguar se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë një poligon ushtarak në fshatin “Babaj i Bokës” në të cilin bëjnë ushtrime të rregullta. Por, ai ka thënë se më 25.05.2024 nuk kanë pasur ushtrime dhe nuk ka qenë ndonjë pjesëtar i FSK-së në poligon.
“Ka ndodhë (rasti) në pjesën Babaj i Bokës që është një hapësirë shumë e madhe, është e pathurruar, na tash veç e kemi marrë, e kemi poligon ushtarak, por njerëzit shkojnë, hyjnë andej, dalin prej Shqipërisë, prej Kosovës. Nuk është pjesëtar i FSK-së edhe nuk ka ndodhë gjatë ushtrimeve qysh është raportu. Atje bëhen ushtrime të rregullta. Për çdo ushtrim ushtarak që na e kemi, e mbajmë në Babaj të Bokës, por sot nuk ka pasë atje pjesëtar të FSK-së” – ka thënë Qerimi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka dhënë detajet e incidentit, duke thënë se një person është lënduar si pasojë e kontaktit me mjet shpërthyes.
Sipas Elezajt, rasti ka ndodhur në fshatin “Babaj të Bokës” dhe se për të Policia ishte njoftuar rreth orës 11:15, më 25.05.2024.
“Rreth orës 11:15 jemi njoftuar se viktima mashkull i moshës madhore kishte pësuar lëndime të rënda trupore (dyshohet si pasojë e kontaktit nga mjet shpërthyes) në një fushë të hapur në fshatin Babaj të Bokës- Gjakovë. Njësitet e nevojshme Policore ju kanë përgjigjur rastit dhe viktima është dërguar me emergjencë për trajtim mjekësor”– ka thënë Elezaj.
Krypometër ka kontaktuar me Drini Domi, zëdhënës i Prokurorisë në Gjakovë, i cili tha se personi i plagosur nuk është pjesëtar i FSK-së.
“Nuk është e vërtetë që i lënduari është pjestar i FSK-së. Po ashtu lidhur me rastin konkret, Prokurori i Shtetit, në bashkëveprim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me rastin”- ka thënë Domi.
Ai ka thënë se plagosuri nuk është intervistuar ende nga Policia apo Prokuroria.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të të lënduarit, ai fillimisht u trajtua në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.
Mjeku kujdestar në Spitalin e Gjakovës, Gjok Komani ka treguar se viktimës i është amputuar shuplaka e dorës nga mjeti shpërthyes dhe se i njëjti ka pasur lëndime edhe në ekstremitetet e poshtme.
“Lëndim nga një masë eksplosive që ia ka sulmuar shuplakën e dorës, e ka amputu, e ka këputë në fakt, edhe ka pasë lëndim të ekstremiteteve të poshtme, nën gju të dy anëve. Në anën e djathtë ka qenë edhe frakturë e nëngjurit me lëndim të indeve të buta, kurse në anën e majtë ka qenë vetëm lëndim i indeve të buta, pa frakturë, pa lëndim, pa ataktim të kockave”– ka thënë Komani.
Pas marrjes së trajtimit në Spitalin e Gjakovës, i njëjti është transferuar në QKUK. Sipas drejtorit të Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë (QKUK), Naser Syla, i plagosuri i është nënshtruar intervenimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në përgjigje për Krypometër, Syla ka thënë se i lënduari është duke u trajtuar nga ekipet mjekësore.
|