schema:text
| - Kardiologët thonë se nuk ka çaj që mund t’i pastrojë enët e gjakut
Deklarata
Të gjithë po flasin! Çaji bimor që po pastron arteriet për 3 ditë dhe harroni për tensionin e lartë dhe dhimbjet e zemres
Vlerësimi
Me kos
Në postimin “Të gjithë po flasin! Çaji bimor që po pastron arteriet për 3 ditë dhe harroni për tensionin e lartë dhe dhimbjet e zemres”- janë bërë konstatime për të cilat nuk janë ofruar fakte themelore dhe si të tilla janë të paprovuara. Kardikirurgu Rifat Brahimaj thotë se në mjekësi nuk ekziston termi ‘pastrimi i enëve të gjakut’ dhe se nuk ekziston asnjë produkt që i “pastron” enët e gjakut nëse ato janë të dëmtuara. Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi ka thënë për Krypometër se trajtimi i enëve të gjakut bëhet me barëra që janë pjesë e listës esenciale. Por, sipas tij, në rast se enët e gjakut janë të bllokuara mbi 70% atëherë trajtimi është dy llojësh: stentimi ose intervenimit kirurgjikal.
Artikulli
Më 22.07.2024 faqja në Facebook ‘AMAS CO’ (arkiva), ka publikuar një postim në të cilin pretendohet se përmes një çaji arrihet të pastrohen arteriet dhe të largohet kolesteroli e hipertensioni.
“Të gjithë po flasin! Çaji bimor që po pastron arteriet për 3 ditë dhe harroni për tensionin e lartë dhe dhimbjet e zemres”- thuhet në këtë infografikë.
Tutje në përshkrimin e bërë në këtë postim janë dhënë efektet që pretendohet se do të kenë personat që konsumojnë këtë çaj.
“JAVA 1: Pastrimi i arterieve; JAVA 2: Zgjerimi i arterieve, largimi i kolesterolit; JAVA 3: Përmirësim i rrjedhshmërisë së gjakut; Java 4: Enë të zgjeruara, rrjedhshmëri të gjakut sikur të 20 vjeçarit”- thuhet në këtë postim.
Kur klikon mbi fotografinë e publikuar, automatikisht vjen një mesazh në formë të “çat” dialogut (Ang: chat) me pyetjen se si mund të ndihmojnë.
Në këtë artikull promovohet një çaj i quajtur ‘Vascular Tea’, i cili sipas artikullit pastron enët e gjakut.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale- AKPPM në Kosovë rezulton se produkti ‘Vascular Tea’ nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Krypometri për ta verifikuar tutje këtë pretendim ka biseduar me kardiokirurgun, njëherit edhe Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, i cili ka shpjeguar se si bëhet pastrimi i enëve të gjakut.
Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi ka thënë për Krypometër se trajtimi i enëve të gjakut bëhet me barëra.
“Trajtimi i tyre bëhet me barëra të cilat janë pjesë e listës esenciale, por më së shpeshti aspirina. Në rast se enët e gjakut janë të bllokuara mbi 70% atëherë trajtimi është dy llojësh: stentimi, e nëse kjo nuk arrihet i nënshtrohet intervenimit kirurgjikal”- tha Shurdhiqi.
Krypometër ka biseduar edhe me kardikirurgun Rifat Brahimaj.
Ai ka thënë se në mjekësi nuk ekziston termi ‘pastrimi i enëve të gjakut’ dhe se nuk ekziston asnjë produkt që i ‘pastron’ enët e gjakut nëse ato janë të dëmtuara.
“Nëse enët e gjakut janë të pa dëmtuara ose pjesërisht të dëmtuara, për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë duhet të kontrollohen faktorët që i dëmtojnë siç janë presioni i lartë i gjakut, duhanpirja, diabeti, niveli i lartë i yndyrnave në gjak, jeta aktive me ushtrime fizike dhe ushqimi pa përmbajtje të lartë të yndyrave me origjinë shtazore”- thuhet në përgjigjen e Brahimajt në një shpjegim për Krypometër.
|