schema:text
| - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Premtimet e AAK-së dhe LDK-së për rritjen e numrit të testimeve për COVID-19
Deklarata
Shemsedin Dreshaj (07.02.2021) – “Do t’i kryejmë 3 mijë deri në 5 mijë teste”
Hatim Baxhaku (07.02.2021) – “Deri në mars do t’i kryejmë 5 mijë teste”
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
KRYPOMETRI do të vazhdojë monitorimin e mbajtjes së premtimeve nga partitë të cilat do të marrin pushtetin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në lidhje me rritjen e numrit të testeve për COVID-19.
Artikulli
Kandidatët për deputetë të AAK-së, LDK-së dhe partisë FJALA debatuan për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale në “DebatPernime”.
Shemsedin Dreshaj (AAK), Hatim Baxhaku (LDK) dhe Gëzim Kelmendi (FJALA) shpalosën programin e tyre për menaxhimin e pandemisë, vaksinimin kundër COVID-19, menaxhimin e ShSKUK-së, Spitalin e Prishtinës, shëndetësinë primare dhe tema të tjera.
Dreshaj nga AAK dhe Baxhaku nga LDK premtuan se numri i testimeve PCR për COVID-19 do të rritet.
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj u zotua që numri i testimeve do të shkojë në 3 mijë në ditë por që mund të rritet edhe më shumë.
“Pritet të shkojë në 3 mijë testime në ditë por edhe 5 mijë teste në ditë është i kapshëm”, deklaroi Dreshaj në “DebatPernime”
Ndërsa kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Hatim Baxhaku premtoi që numri i testimeve në muajin mars do të shkojë në 5 mijë teste brenda ditës.
“Unë kam dëgjuar nga zotëri Zemaj që deri në mars numri i testimeve do të rritet deri në pesë mijë”, tha Baxhaku në DebatPernime.
Baxhaku deklaroi se 700 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19 janë donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe 600 mijë vaksina do të blihen nga fondi i Qeverisë së Kosovës. Po ashtu ai tha se plani për vaksinim është përgatitur dhe në qershor diku 50% e popullsisë do të jetë e vaksinuar.
Cikli i “DebatPernime” i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë gjithë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.
Debati do të transmetohet çdo mbrëmje me fillim prej orës 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.
|