schema:text
| - Publikimi i rremë për deputeten Adriana Matoshi
Deklarata
E rëndë: Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, s’arrihet të identifikohet
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me fotografi të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, e publikuar me mbishkrimin “E rëndë: Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, s’arrihet të identifikohet lajmi ne koment” është i rremë. Deputetja Matoshi është gjallë dhe duke i kryer aktivitetet e saja publike si deputete e Kuvendit të Kosovës. Prokuroria e Pejës ka thënë se ende nuk kanë arritur të identifikojnë trupin e pa jetë që është gjetur në Pejë.
Artikulli
Më 02.03.2024, faqja në Facebook “Lajmet Aktuale” (arkiva), ka publikuar një fotografi të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, me mbishkrimin “E rëndë: Gjendet pa shenja jete një person në Pejë, s’arrihet të identifikohet lajmi ne koment”.
Fotografia e deputetes Adriana Matoshi me të njëjtin përshkrim është publikuar edhe nga faqet: Bota ime (arkiva), Kosovo Army (arkiva), Gjergj Kastrioti Skenderbeu (arkiva).
Të gjitha këto faqe në koment e kanë vendosur linkun e këtij lajmi që është publikuar në faqen e internetit “news2.pw”, mirëpo i njëjti nuk është ilustruar me asnjë fotografi.
Krypometër ka gjetur se lajmi i bashkëngjitur në këto postime përputhet më një njoftim të Policisë së Kosovës të lëshuar më datë 01.03.2024, në të cilin thot se është gjetur një trup i pa jetë në qytetin e Pejës.
“Lidhur me rastin, njësia e FSK-së ka arritë të nxjerrin nga pusi trupin e pa jetë të viktimës NN. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML (Instituti i Mjekësisë Ligjore) për obduksion”- thuhet në raportin e 02.03.2024 të Policisë së Kosovës (arkiva).
Krypometër ka kontaktuar me Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës, i cili ka thënë se ende nuk është bërë identifikimi i viktimës.
“Janë marrë mostrat e ADN-së prej viktimës dhe mostrat prej familjes që po dyshohet që i takon, por deri më tani nuk kemi pranu këto raporte sepse mendoj që do të merr kohë deri të kryhen ekspertizat dhe njëkohësisht edhe raportin e autopsisë për të kuptuar shkakun e vdekjes”- tha ai .
Krypometër ka kontaktuar me deputeten Adriana Matoshi, të cilës i është publikuar fotografia te lajmi për gjetjen e një trupi të pa jetë në Pejë.
Ajo është shprehur ‘e tmerruar’ nga titujt e mediave online për të.
“Unë çdo ditë tmerrohna prej titujve çka shkruajnë për mua edhe prej komenteve. Kam edhe mesazhe kërcënuese çdo ditë për gati tri vjet”- ka thënë Matoshi, duke shtuar se nuk e ndërlidhë asgjë me këtë lajm dhe se vet është duke i kryer aktivitetet dhe obligimet e përditëshme, si deputete e Kuvendit të Kosovës.
Adriana Matoshi është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Matoshi u zgjedh deputete në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbajtura në shkurt të vitit 2021.
Matoshi është aktore e mirënjohur në Kosovë. Ajo ka një sërë çmimesh në profesionin si aktore.
Deputetja Matoshi gjatë javës së fundit ka qenë në qendër të debateve pasi asaj i janë publikuar disa fotografi të telefonit të saj të cilat tregojnë koordinimin e saj me një person për publikimin e një statusi në Facebook.
Pas kësaj, Matoshi është shfaqur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, me një bluzë në të cilin shkruhet: Kush po mi shkrun statusat, kush?
Matoshi njihet si deputete që në seancat plenare në mënyrë të vazhdueshme vendosë mesazhe të ndryshme në bluzat e saja (shih këtu, dhe këtu).
|