schema:text
| - Pretendimi i rremë për Hykmete Bajramin lidhur me 2 milionë euro
Deklarata
2.1 milion euro të taksapaguesve, jan kanë, ku janë, s’u kthyn kurrë… Ku mbeten paret Hykmete, kthejav popllit
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë konstatimi i bërë në postimin “2.1 milion euro të taksapaguesve, jan kanë, ku janë, s’u kthyn kurrë… Ku mbeten paret Hykmete, kthejav popllit”. Vjedhja e 2.1 milionshit nga Thesari i Shtetit është bërë në kohën kur ministre e Financave ishte Hykmete Bajrami, mirëpo ajo nuk ishte e dyshuar për vjedhjen apo keqpërdorimin e këtyre mjeteve. Vet Hykmete Bajrami e kishte denoncuar këtë vjedhje. Gjykata i ka dënuar me burg dy persona të tjerë për vjedhjen e 2.1 milionë eurove. Labinot Gruda është dënuar me 11 vjet burg, ndërsa Kadri Shala është dënuar me 10 vjet burg.
Artikulli
Më 22.12.2024, një profil në Facebook e ka publikuar në grupin “DIASPORA me ALBININ” (arkiva) një fotografi të deputetes, Hykmete Bajrami me mbishkrimin “2.1 milion euro të taksapaguesve, jan kanë, ku janë, s’u kthyn kurrë”.
Ndërsa e njëjta fotografi është përshkruar me fjalinë “Ku mbeten paret Hykmete, kthejav popllit”.
Ky përshkrim është vendosur në një fotografi, në të cilën shihet një shkrim i publikuar në portalin Sinjali.com me titullin “Bajrami reagon pas ndarjes së 100 eurove nga Qeveria: Me para të taksapaguësve po tentojnë me ble vota.”
Krypometër përmes kërkimit në internet ka gjetur shkrimin e publikuar në Sinjali.com. Në këtë artikull është cituar deklarata e deputetes Hykmete Bajrami, e publikuar fillimisht në profilin e saj zyrtar në Facebook.
”Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy Sindikatat, e ka detyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vjet radhazi me blerjen e librave, Qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më parë, sot me para të taksapaguesve po tenton me ble vota.”- ka shkruar Bajrami.
Fotografia me pretendimet për deputeten Bajrami është publikuar në ditën kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët deri në 16 vjet, si dhe për të gjithë pensionistët e kualifikuar.
Përmes përshkrimit “Ku mbeten paret Hykmete, kthejav popllit”- pretendohet se Bajrami duhet t’ia kthejë qytetarëve të Kosovës 2.1 milionë euro, të cilat ishin vjedhur nga Thesari i Shtetit.
Krypometër, për të qartësuar vërtetësinë e deklaratës, ka kontaktuar me deputeten, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se postimi është i rremë.
“Asnjëherë, nuk kam vjedhur e as nuk kam keqpërdorur asnjë cent. Kjo deklaratë është e pavërtetë dhe si e tillë kërkoj që të trajtohet. Hajnat e 2.1 milionë eurove janë në burg, ata e kanë pranuar fajsinë dhe po e vuajnë dëbimin. Fake News të tillë kërkoj të raportohen, sepse nuk i bëjnë mirë askujt.”- ka thënë ajo në një përgjigje për Krypometrin.
Për çfarë ishte rasti i 2.1 milionë eurove?
Në kohën kur ishin vjedhur 2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit, ministre e Financave ishte Hykmete Bajrami.
Në kohën kur kishte ndodhur skandali i 2.1 milionshit, Hykmete Bajrami si ministre e Financave e kishte denoncuar rastin, duke thënë se bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë euro, të cilat kanë shkuar te një operator ekonomik.
Në Aktakuzën e Prokurorisë dhe në Vendimet e Gjykatave, Hykmete Bajrami as nuk është akuzuar e as dënuar për këtë vjedhje.
Gjykata i ka dënuar me burg dy persona të tjerë për vjedhjen e 2.1 milionë eurove.
Gjykata Themelore e kishte dënuar Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 vjetëve dhe dënim me gjobë në vlerën 8,500 euro. Po ashtu, i ishte shqiptuar dënimi plotësues, me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik.
Të pandehurin Kadri Shala, Gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 vjetëve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro. Gjykata në shpallje të Vendimit kishte njoftuar se e tërë pasuria, e fituar në mënyrë të kundërligjshme, është konfiskuar.
Gjykata e Apelit me Aktgjykim ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Labinot Gruda e Kadri Shala, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, me të cilin kishte dënuar dy të akuzuarit.
|