schema:text
| - Rrena për motivin e vrasjes së nënës në Gjakovë
Deklarata
I preu kokën nënës për hatër të Gruas, H.H., u vra nga djali i saj hastret
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Përshkrimi i videos në Facebook “I preu kokën nënës për hatër të Gruas, H.H., u vra nga djali i saj hastret”- është i rremë. Sipas aktakuzës që ka ngritur prokurorja e krimeve të rënda, Sahide Gashi, motivet që kanë shtyrë të akuzuarin Urim Hyseni për të kryer aktin janë ende të panjohura. Në aktakuzë thuhet se vrasja ka ndodhur “pas një mosmarrëveshje mes të pandehurit dhe viktimës, për motive ende të pa njohura”.
Artikulli
Më 04.05.2024, faqja në Facebook “Lajmi Press” ka publikuar një video me përshkrimin “I preu kokën nënës për hatër të gruas, H. H., u vra nga djali i saj hastret”.
Në video është përshkruar historia e familjes, në të cilën ka ndodhur vrasja. Tutje në video thuhet se vrasja ka ndodhur për hatër të gruas.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër e ka analizuar aktakuzën ndaj Urim Hyseni.
Sipas aktakuzës që ka ngritur prokurorja e krimeve të rënda, Sahide Gashi, motivet që kanë shtyrë të akuzuarin Urim Hyseni për të kryer aktin janë ende të pa njohura. Pra nuk specifikohet askund në aktakuzë se rasti ka ndodhur për hatër të ndokujt.
“Në atë mënyrë që pas një mos marrëveshje mes të pandehurit dhe viktimës për motive ende të pa njohura”- thuhet në aktakuzën e cila është ngritur më 09.10.2023.
Sipas avokatit të Hysenit, Asdren Mekaj, i akuzuari nuk ka folur asgjë në seancat që janë mbajtur deri më tani ndaj tij.
“S’ka folë”- tha Asdren Mekaj për Krypometër kur është pyetur nëse i njëjti ka treguar motivin e vrasjes.
Urim Hyseni i akuzuar për vrasjen e nënës së tij më 14.04.2023, është dënuar me 25 vite dënim me burgim. Përpos dënimit me burgim, Hysenit i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.
Dosja hetimore e Prokurorisë tregon se kishte qenë gruaja e axhës së Urim Hysenit që kishte shkuar e para në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas edhe babai e halla e tij.
Ndaj Hysenit ishte mbajtur seanca dëgjimore më 17.11.2023 në Gjykatën e Pejës. Në këtë seancë, me vendim Gjykatës, nuk ishte lejuar prezenca e mediave dhe e publikut.
|