schema:text
| - Rrena se Milo Gjukanoviq ka ardhur në mënyrë të befasishme në Kosovë
Deklarata
Milo Gjukanoviq vjen befas sonte për vizitë në Kosovë
Vlerësimi
Me kos
Titulli i artikullit “Milo Gjukanoviq vjen befas sonte për vizitë në Kosovë” dhe më pas konstatimi i bërë edhe në artikull se “vizita e Gjukanoviq nuk është paralajmëruar më herët si dhe deri tash nuk dihet arsya e vizitës së tij” janë të rreme. Vizita e Gjukanoviqit nuk ishte befasuese. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte ftuar atë në darkën e organizuar me rastin e takimit ndërkombëtar ‘Samiti për Ballkanin Perëndimor 2022.
Artikulli
Më 24 tetor 2022, në faqen e internetit specialja.com është publikuar artikulli me titull “Milo Gjukanoviq vjen befas sonte për vizitë në Kosovë”.
I njëjti artikull është shpërndarë më datë 25 dhe 26 tetor 2022 në faqet e Facebook-ut si: “Për Shqipërinë”, “Fol Shqip”, “Shqipet”.
Në artikull thuhet se “Vizita e Gjukanoviq nuk është paralajmëruar më herët si dhe deri tash nuk dihet arsya e vizitës së tij”. Për të mbështetur këtë konstatim, faqet e internetit nuk e kanë cituar asnjë institucion.
Pjesa tjetër e artikullit është e bazuar në njoftimin e Policisë së Kosovës, të cilët kanë njoftuar për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut për shkak të vizitës së Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviqit.
KALLXO.com ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe me Qeverinë e Kosovës për të parë nëse vizita e Gjukanoviqit ishte e paralajmëruar apo jo.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar se Gjukanoviq ka vizituar Kosovën në kuadër të Western Balkan Summit 2022.
“Ka qenë i ftuar nga Zyra e Kryeministrit në kuadër të Western Balkan Summit 2022”– ka thënë Kryeziu.
Një përgjigje të njëjtë e ka dhënë edhe zëdhënësja e MPJD-së, Qendresa Fazliu.
Ajo ka thënë se Gjukanoviqi ishte i ftuar në një darkë të organizuar me rastin e takimit ndërkombëtar “Samiti për Ballkanin Perëndimor 2022”.
“Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ishte në Prishtinë, ku me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar në darkën e organizuar me rastin e takimit ndërkombëtar ‘Samiti për Ballkanin Perëndimor 2022. – ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet’, nën kujdesin e Londrës ‘Economist’”– ka thënë Fazliu.
|