schema:text
| - Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Han të Elezit, Kimete Kuka-Hasallari (e dyta nga e majta) së bashku me drejtorët e tjerë komunalë dhe kryetarin Mehmet Ballazhi
Ballazhi mban premtimin për emërimin e grave në krye të gjysmës së drejtorive
Deklarata
Mehmet Ballazhi (10.10.2021) “Me ekipin tim qeverisës jemi marrë vesh që në katër vjetorin e qeverisës dhe do të jemi 50-50, 50 burra dhe 50 gra”
Vlerësimi
E vërtetë
Kryetari i ri i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, e ka mbajtur premtimin që e ka dhënë duke emëruar gratë në krye të gjysmës së drejtorive.
Artikulli
Kryetar i ri i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka formuar kabinetin me të cilin do të qeverisë për katër vitet e ardhshme në këtë komunë.
Ballazhi ka emëruar gratë drejtoresha në katër nga tetë drejtoritë që ka Komuna e Hanit të Elezit.
Ai e ka mbajtur premtimin të cilin e kishte dhënë në muajin tetor në emisionin “DebatPernime”, ku kishte thënë se 50% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë në mandatin e tij.
“Do të jemi 50-50, 50% burra dhe 50% gra”, kishte deklaruar Ballazhi.
Në faqen zyrtare të Komunës së Hanit të Elezit është publikuar edhe lista me emrat e drejtorëve dhe drejtoreshave.
Sevdi Dernjani – nënkryetar; Natyra Kalisi – drejtoreshë për Administratë; Lindita Ballazhi – drejtoreshë për Buxhet dhe Financa; Kimete Kuka – Hasallari – drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale; Nexhmedin Daci – drejtor për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit; Majlinda Kaloshi -drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik; Hisni Luri – drejtor për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport; Abduraman Bushi – drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Arsim Dernjani – drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë.
Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar mandatin e kryetarit të Hanit të Elezit në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Ballazhi ka marrë 2 mijë e 561 vota ose 51,33% duke lënë prapa kryetarin e deritanishëm, Rufki Sumën me 2 mijë e 106 vota ose 42,21%.
|