schema:text
| - Këngëtarja Leonora Jakupi nuk do të dhurojë 10 mijë euro për një koment në Facebook
Deklarata
Përshëndetje!! ju bekoj te gjitheve!! 400 të parët që thonë (Përshëndetje), do t’ju jap 10,000 € sot
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Video Leonora Jakupi, me mbishkrimin “Përshëndetje!! ju bekoj te gjitheve!! 400 të parët që thonë (Përshëndetje), do t’ju jap 10,000 € sot” është e rreme. Profili që e ka publikuar këtë video nuk menaxhohet nga Leonora Jakupi. Këngëtarja ka thënë se postimi është i rremë, pasi në videon reale ajo nuk ka përmendur asnjë shumë të parave që do të ndajë për ndjekësit e saj në Facebook.
Artikulli
Më 18.05.2024, profili në Facebook me emer “Leonora Jakupi” ka shpërndarë një video (arkiva) të këngëtares, Leonora Jakupi, me mbishkrimin “Përshëndetje!! ju bekoj te gjitheve!! 400 të parët që thonë (Përshëndetje), do t’ju jap 10,000 € “sot”.
Ky postim, përmes të cilit pretendohet se këngëtarja Leonora Jakupi do të ndajë nga 10,000 euro për 400 persona, ka marrë rreth 40 mijë shikime, 889 komente dhe 212 reagime.
Edhe pse në mbishkrim thuhet se do të ndajë nga 10 mijë euro për person, në këtë video, Leonora Jakupi asnjëherë nuk përmendë ndonjë dhuratë e as nuk kërkon nga ndjekësit që ta përshëndesin atë. Ky postim ka marrë mbi 39 mijë shikime, 889 komente dhe 212 reagime.
Sipas të dhënave të Facebook, profili që e ka shpërndarë këtë video është krijuar më 04.03.2024, fillimisht me emërin “𝗥𝗬𝗧𝗠𝗨𝗦”. Ndërsa, më 08.04.2024, kjo faqe e ka ndryshuar emrin në Leonora Jakupi.
Krypometër e ka verifikuar se këngëtarja e Leonora Jakupi e ka një profil tjetër në Facebook, në të cilën ka mbi 200 mijë ndjekës.
Krypometër, ka gjetur se e njëjta video ishte publikuar nga këngëtarja Leonora Jakupi, më 04.11.2019.
Jakupi në këtë video dëgjohet duke treguar për menaxhimin e profilit të saj në Facebook.
“Tash e tutje këtë Faceook, do ta kem unë në menaxhim deri tani në menaxhim e kanë pasë disa miq, domëthënë gjatë gjithë kohës ata kanë postu aktivitet e mia në vazhdimësi. I falendëroj shumë, nuk do të thotë që ata nuk kanë me qenë aktiv dhe nuk kanë me postu përsëri por do të jem unë ajo e cila tash e tutje do ta menaxhoj”- thotë këngtëarja Jakupi ndër të tjera në video, të publikuar në vitin 2019.
Për të sqaruar tutje këto postime, Krypometër ka kontaktuar Leonora Jakupin, e cila ka thënë se përshkrimi se do të shpërndajë para është i rremë.
Jakupi theksoi se videoja e cila është shpërndarë është e realizuar vite më parë dhe nuk është aktuale.
Për më tepër, ajo tha se në videoja në fjalë nuk flet për ndonjë lojë shpërblyese apo shpërndarje parash për ndjekësit.
Ajo thotë se këto postime që po bëhen janë të rreme dhe po bëhen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve.
“E kam pa edhe prej njerzëve të tjerë që më kanë kontaktu në lidhje me postimin. Nuk është postim i imi. Kjo është video e vjetër e cila po shfrytëzohet tash e një vit. Video është e vjetër. Unë kam pasë ndërmend që me e raportu edhe në Policinë e Kosovës, është e dëmshme për mua dhe për shoqërinë”- ka thënë për Krypometër Jakupi.
|